Arkitekti i identitetit modern boshnjak

Ardian Muhaj

Ideja e nacionalizmit boshnjak është një produkt i vonuar historik, që ngrihet mbi disa shtresa të mbivendosura historikisht. Konkretisht e përmbledhtazi: trashëgimia mesjetare e Bosnjës si entitet politik, përvoja osmane dhe islamizimi i një pjese të popullsisë, politika habsburge e boshnjashtvos dhe zgjimi i elitave myslimane, njohja e myslimanëve si komb në Jugosllavinë socialiste dhe lufta e viteve 1990, që e detyroi këtë komb të kërkojë shtetësi të plotë. Shteti i Bosnjë-Hercegovinës, i shpallur në vitin 1992, është në këtë kuptim shtet i vonuar, por jo pa rrënjë historike.

Ardian MUHAJ, Tiranë

Alija Izetbegoviqi është ndër figurat më shënjuese të historisë së Ballkanit të fundshekullit XX. Ndryshe nga dy liderët bashkëkohës jugosllavë, Millosheviqi në Serbi dhe Tugjmani në Kroaci, ai nuk vinte nga strukturat e pushtetit komunist. Ishte disident, intelektual dhe politikan i formuar në përvojën e burgjeve komuniste dhe i shtyrë në politikë në moshë të vonë, në një kohë kur Jugosllavia po hynte në fazën e shpërbërjes. Në kohën kur u mbajt referendumi i pavarësisë, Bosnja u gjend mes Serbisë që kërkonte ta ndante në funksion të projektit të Serbisë së Madhe dhe Kroacisë, që synonte bashkimin e pjesëve saj me shumicë kroate në shtetin kroat. Izetbegoviqi përballej me një zgjedhje dramatike – pavarësi me rrezikun e luftës apo ndarje me rrezikun e shfarosjes politike e kulturore. Ai zgjodhi pavarësinë, duke mbrojtur idenë e një shteti qytetar, multietnik dhe pa hegjemonizëm etnik.

Nacionalizmi boshnjak dhe vonesa e krijimit të shtetit të Bosnjës

Në shikim të parë, Bosnja duket një anomali në historinë europiane. Një territor me vazhdimësi të qartë politike qysh nga Mesjeta, me një emër të qëndrueshëm gjeografik e historik (“Bosna”), por që si shtet i pavarur modern shfaqet vetëm në dekadën e fundit të shekullit XX, më saktë në vitin 1992. Paradoksi bëhet edhe më i dukshëm nëse e lidhim me dinamikën e zhvillimit të nacionalizmit. Ndërsa serbët e kroatët e artikuluan projektin e tyre kombëtar e shtetëror që në shek. XIX, nacionalizmi boshnjak kristalizohet vonë dhe shteti i Bosnjës, si entitet i pavarur, imponohet vetëm pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Për ta kuptuar këtë vonesë, duhet dalluar midis Bosnjës si mbretëri mesjetare dhe shtetit boshnjak modern, të bazuar mbi konceptin e kombit si subjekt sovran.

Bosnja është ndër rastet e rralla në Ballkan të një hapësire që ka pasur shtetësi mesjetare, por nuk mund të thuhet se arriti të kishte komb modern boshnjak në kuptimin e rilindjeve kombëtare ballkanike të shek. XIX. Pikërisht mungesa dhe vonesa e artikulimit të një nacionalizmi të veçantë boshnjak, përballë nacionalizmave serb e kroat, është çelësi i arsyetimit se pse shteti i Bosnjës shfaqet kaq vonë si aktor i pavarur. Në Mesjetë, Bosnja ishte fillimisht banovinë, më pas mbretëri e pavarur (sidomos nën Tvrtko I). Gjatë shek. XIV Bosnja përfaqësonte një entitet politik të konsoliduar, me elitë aristokratike lokale dhe me një identitet territorial të njohur si “Bosna”, i dallueshëm nga fqinjët serbë dhe kroatë. Megjithatë, ky identitet ishte kryesisht politiko-territorial dhe i strukturuar mbi një shoqëri feudale-klienteliste. Në Perandorinë Osmane, Bosnja u shndërrua në një vilajet strategjik në kufi të botës islame dhe asaj të krishterë. Një pjesë e madhe e popullsisë vendase e pranoi Islamin dhe struktura osmane e administrimit e kanalizoi identitetin kryesisht në dy nivele: niveli fetar, ku përkatësia kryesore ishte feja, dhe niveli lokal, ku “Bosna” ishte para së gjithash një njësi administrative e Perandorisë. Në periudhën e vonë osmane, në shek. XIX, popullsia e krishterë (ortodokse dhe katolike) gradualisht u ekspozua ndaj ndikimit të nacionalizmave serb dhe kroat. Pra, procesi i vetëdijesimit kombëtar për boshnjakët e krishterë lidhej me Beogradin ose Zagrebin, jo me Sarajevën. Në këtë kuptim, shekujt osmanë, megjithëse formuan një “trup” boshnjak mysliman me kulturë të veçantë, vonuan lindjen e një nacionalizmi boshnjak në kuptimin modern. Komunitetet më të prira për nacionalizëm (elitat e arsimuara, borgjezia) ose ishin pjesë e aparatit perandorak ose orientoheshin kah qendrat kombëtare serbe/kroate.

Në 1878, me vendimet e Kongresit të Berlinit, Bosnja del nga sovraniteti efektiv osman dhe kalon nën administrimin e Austro–Hungarisë (aneksuar formalisht më 1908). Historikisht, kjo periudhë paraqitet si momenti i zgjimit politik të boshnjakëve myslimanë dhe i lindjes së ideve të para të nacionalizmit modern boshnjak. Mirëpo, monarkia habsburge ndoqi një politikë të dyfishtë. Nga njëra anë, donte ta përdorte Bosnjën si laborator modernizimi e kontrolli dhe, nga ana tjetër, tentoi të ndërtonte një identitet “boshnjak” gjithëpërfshirës (bošnjaštvo), që t’i neutralizonte pretendimet serbe e kroate dhe ta afirmonte Bosnjën si entitet të veçantë. Por. ky projekt u përball me pengesa serioze. Nacionalizmi serb dhe kroat në Bosnjë, sidomos në mesin e ortodoksëve dhe katolikëve, e refuzonte idenë e kombit boshnjak dhe i shihte boshnjakët myslimanë ose si serbë të islamizuar ose si kroatë të islamizuar. Vetë boshnjakët myslimanë ishin të përçarë – një pjesë e elitës vazhdonte e mbërthyer në nostalgjinë osmane, një pjesë e përqafoi identitetin e ri “boshnjak” territorial, ndërsa shumë të tjerë e negociuan statusin e tyre si pakicë e privilegjuar fetare brenda kornizës së re habsburge. Historia tregoi që Austro–Hungaria nuk kishte interes të krijonte një shtet të pavarur boshnjak, por vetëm një provincë të integruar në monarki, që t’i shërbente si zonë kufitare ndaj Serbisë dhe Malit të Zi. Megjithatë, në këtë periudhë lindin partitë e para politike myslimane, shoqatat kulturore dhe një diskurs që e trajton boshnjakësinë si identitet të veçantë. Studime të kohëve të fundit e konsiderojnë këtë fazë, së bashku me njohjen e myslimanëve si komb nën Jugosllavinë socialiste dhe luftën e viteve 1992-1995, si tri “momente kyçe” në formimin e kombit boshnjak. Megjithatë, as Austro–Hungaria, as elitat lokale nuk e çuan kurrë deri në fund projektin e shtetit boshnjak të pavarur. Bosnja mbeti nën suverenitetin perandorak habsburg deri në fund të Luftës së Parë Botërore. Pas vitit 1918, me krijimin e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (më vonë Jugosllavia mbretërore), Bosnja u integrua në shtetin e ri pa status të veçantë. Në ndarjen e brendshme administrative (banovinat), ajo u copëtua mes njësish të ndryshme, duke u zhdukur si njësi politike e veçantë.

Në këtë fazë nacionalizmat serb e kroat e shtuan garën për ta “përvetësuar” Bosnjën. Mungesa e një kornize institucionale boshnjake dhe gara e dy nacionalizmave të mëdhenj fqinjë e shndërruan Bosnjën në objekt të politikave të Beogradit e Zagrebit. Vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, regjimi i Titos e afirmoi Bosnjën si një nga gjashtë republikat federale. Në Jugosllavinë socialiste, Bosnja u konceptua si republikë federale me autonomi të brendshme, por jo shtet i pavarur. Në propagandën e kohës dhe në rrethet intelektuale lokale Bosnja paraqitej si “Jugosllavi në miniaturë”, me tre popuj konstituivë, serbë, kroatë, myslimanë dhe me një rol integrues në projektin e “vëllazërim–bashkimit”.

Element kyç për nacionalizmin boshnjak ishte njohja e myslimanëve si komb (narod) në fund të viteve ’60. Në fillim, termi “musliman” në censuse përdorej si kategori fetare, por qysh nga censusi i vitit 1971 përckatimi “musliman në kuptim kombëtar” u njoh zyrtarisht si komb i veçantë i Jugosllavisë. Kjo nënkuptonte pranim të boshnjakëve myslimanë si komb i veçantë, krahas serbëve, kroatëve, sllovenëve, maqedonasve dhe malazezëve. Pra, transformim të identitetit nga ekskluzivisht fetar në kombëtar, etnik. Megjithatë, kjo njohje mbetej brenda një kornize federale, ku sovraniteti i jashtëm ishte në duart e federatës. Nacionalizmi boshnjak mund të artikulohej si identitet kombëtar brenda Jugosllavisë, por jo si program i hapur për shtet të pavarur, sepse ideologjia zyrtare jugosllave e ndëshkonte nacionalizmin si forcë përçarëse. Bosnja vetë shquhej nga roli i saj si republika më multietnike, ku baraspeshimi i tri kombeve ishte themeli i legjitimitetit. Kështu, nacionalizmi boshnjak u institucionalizua, por u neutralizua politikisht.

Institucionalizimi i identitetit mysliman/boshnjak si komb u shoqërua me shfaqjen e inteligjencies së re urbane, që e perceptojnë veten si boshnjakë. Lufta e viteve 1992-1995 është momenti kur nacionalizmi boshnjak kthehet në projekt shtetëror mbijetese, si reagim ndaj politikave të spastrimit etnik serb e kroat dhe ndaj rrezikut të ndarjes së Bosnjës. Elita boshnjake, e udhëhequr nga Izetbegoviqi, e formëson këtë fazë të fundit, ku nacionalizmi boshnjak tenton të jetë njëkohësisht territorial-qytetar (mbrojtje e Bosnjës si shtet i të gjithëve), dhe kulturor-fetar (me boshnjakët myslimanë si bërthama morale e projektit). Kjo natyrë e dyfishtë lidhet drejtpërdrejt me arsyet se pse shteti i Bosnjës u krijua kaq vonë. Deri në vitet ’90-të, nuk kishte as konsensus të brendshëm, as shtysë ndërkombëtare që do ta lejonte një Bosnjë të pavarur.

Kishte edhe arsye strukturore se pse shteti i Bosnjës u krijua kaq vonë. Bosnja ishte demografikisht e përbërë nga tri komunitete kryesore, myslimanë, ortodoksë, katolikë, që gradualisht u identifikuan me kombet boshnjak, serb e kroat. Kjo strukturë multietnike krijoi një dyjëzim ose, më saktë, trijëzim të përhershëm, ku serbët dhe kroatët në Bosnjë e shihnin veten si pjesë e një kombi më të madh përtej kufijve dhe elitat e Beogradit e Zagrebit e shihnin Bosnjën si hapësirë zgjerimi natyror. Boshnjakët myslimanë, nga ana e tyre, veçanërisht nën komunizëm, u prezantuan si komb brenda Jugosllavisë, jo si shtet më vete. Pra, nacionalizmi boshnjak ishte i shtypur ose i instrumentalizuar nga projekte më të fuqishme.

Vetëm në vitet ’90-të, me rënien e komunizmit, prishjen e ekuilibrave të vjetër dhe parimin e njohjes së republikave jugosllave brenda kufijve ekzistues, u hap një dritare historike për shtetësi boshnjake. Derisa Jugosllavia dukej stabile, pakkush në Sarajevë e perceptonte nevojën për një shtet boshnjak të pavarur. Vetëm kur Sllovenia dhe Kroacia e shpallën pavarësinë dhe Serbia nën Millosheviqin adoptoi një kurs hegjemonist, u bë e qartë se Jugosllavia, si federatë, po shembej. Kësisoj, nacionalizmi boshnjak u detyrua të bëhej nacionalizëm shtetformues. Pavarësia e Bosnjës më 1992 nuk ishte thjesht një zgjedhje ideologjike, por një strategji mbijetese. Alternativa ishte ndarja e territorit mes Serbisë e Kroacisë dhe rreziku i shfarosjes politike e fizike të boshnjakëve.

Nacionalizëm i vonuar, shtet i vonuar

Ideja e nacionalizmit boshnjak është një produkt i vonuar historik, që ngrihet mbi disa shtresa të mbivendosura historikisht. Konkretisht e përmbledhtazi: trashëgimia mesjetare e Bosnjës si entitet politik, përvoja osmane dhe islamizimi i një pjese të popullsisë, politika habsburge e boshnjashtvos dhe zgjimi i elitave myslimane, njohja e myslimanëve si komb në Jugosllavinë socialiste dhe lufta e viteve 1990, që e detyroi këtë komb të kërkojë shtetësi të plotë. Shteti i Bosnjë-Hercegovinës, i shpallur në vitin 1992, është në këtë kuptim shtet i vonuar, por jo pa rrënjë historike. Është po ashtu produkt i një nacionalizmi të veçantë, që kërkon të jetë njëkohësisht boshnjak (me një bërthamë myslimane) dhe bosnian (i të gjithë qytetarëve) rezultat i një historie të gjatë në të cilën Bosnja ka qenë më shumë objekt i vendimeve të të tjerëve sesa subjekt i vullnetit të vet politik. Prandaj, të flasësh për nacionalizmin boshnjak dhe për vonesën e shtetit të Bosnjës, kjo do të thotë të shohësh një histori në të cilën kombi lind brenda shteteve të të tjerëve dhe shteti lind vetëm kur rreziku i zhdukjes bëhet më i madh se kostoja e pavarësisë.

Alija Izetbegoviqi, si një nga figurat më të rëndësishme të historisë politike dhe kulturore të Ballkanit në fundin e shekullit XX, njihet jo vetëm si udhëheqësi i Bosnjë-Hercegovinës gjatë luftës së viteve 1992-1995, por në një këndvështrim më të gjerë ai shfaqet si arkitekti i identitetit modern boshnjak. Kjo nënkupton transformimin e një populli kryesisht të përkufizuar nga përkatësia fetare (myslimanë) në një komb me vetëdije të qartë historike, kulturore dhe politike: boshnjakët. Izetbegoviqi nuk ishte arkitekti i vetëm i këtij procesi, por ishte figura që i dha atij koherencë shkencore, filozofike dhe politike, duke e vendosur identitetin boshnjak brenda një kornize moderne europiane, por njëkohësisht të rrënjosur në traditën lokale e ballkanike.

Në veprat e tij Izetbegoviqi artikuloi një model të ri të subjektit boshnjak. Ai e konsideronte komunitetin mysliman të Bosnjës jo vetëm trashëgimtar të një tradite autoktone, por edhe si popull europian që kishte adoptuar Islamin në mënyrë organike dhe si subjekt modern, të aftë për të ndërtuar një identitet kombëtar që respekton pluralizmin. Kjo filozofi u shpreh në disa teza kryesore, sipas të cilave boshnjakësia është shkrirje e historisë, kulturës dhe qytetërimit të atij populli. Identiteti boshnjak është unik, nuk është as serb i islamizuar, as kroat i islamizuar dhe gjithashtu Islami boshnjak është pjesë e Europës, jo kundër saj. Pikërisht ky përkufizim ideor krijoi bazën e bosnjakizimit, duke i dhënë komunitetit mysliman vetëdijen e një subjekti kombëtar të dallueshëm, si dhe kërkesën për ruajtjen e unitetit territorial të Bosnjës si shprehje e kombit boshnjak shoqëruar me programin e pluralizmit dhe barazisë së popujve brenda Bosnjës.

Lufta e viteve 1992-1995, pavarësisht tragjedive, pati një efekt të fuqishëm në konsolidimin e identitetit boshnjak. Në këtë periudhë, roli i Izetbegoviqit ishte vendimtar në dy drejtime. Së pari, përkufizimi i Bosnjës si shtet multietnik, por me boshnjakët si komb shtetformues. Së dyti, narrativa e mbrojtjes së Bosnjës si shtëpi e të gjithëve që e dallonte boshnjakësinë nga serbizimi e kroatizimi dhe krijonte identitet të përbashkët përtej dallimeve brenda vetë boshnjakëve. Izetbegoviqi ishte lideri përmes të cilit boshnjakësia u kthye në subjekt shtetëror. Ndikimi i tij ishte vendimtar në ringjalljen e historisë mesjetare boshnjake, rivlerësimin e trashëgimisë osmane si pjesë e identitetit boshnjak, si dhe në përkufizimin e shprehjeve të larmishme të kulturës si elemente të unifikuara të kombit. Si mendimtar, ai krijoi kornizën filozofike të identitetit boshnjak. Si lider politik, ai i dha këtij identiteti dimension institucional. Si udhëheqës gjatë luftës, ai e shndërroi boshnjakësinë në projekt të mbijetesës dhe të shtetësisë dhe si figurë morale, ai e mbrojti gjithnjë idenë e Bosnjës multietnike, madje edhe kur kjo ishte politikisht e vështirë. Në këtë mënyrë u ndërtua një identitet i përzier, hibrid, por i qëndrueshëm dhe i pranueshëm nga bota. Në këtë kuptim, Alija Izetbegoviqi nuk ishte vetëm udhëheqësi i boshnjakëve, por arkitekti i identitetit modern boshnjak. /revistashenja