Arsenali pëson nga Swansea që ishte skuadra e fundit në tabelë

Me rezultat 3-1, Swansea City e ka mposhtur Arsenalin në ndeshjen e javës së 25-të të Ligës Premier që u zhvillua në Liberty Stadium.

Në minutat e para të ndeshjes, vendasit patën një rast me anë të Alfie Mawson, ndërsa mysafirët rrezikuan përmes Alex Iwobit.

Në minutën e 33-të, Mesut Ozil tregoi mjeshtërinë e tij duke dërguan një harkim fantastik në zonë, të cilin e priti Nacho Monreal për ta zhbllokuar rezultatin.

(Foto: Getty Images)
Gëzimi i mysafirëve nuk zgjati, pasi Sam Clucas e barazoi shumë shpejt rezultatin (34′) falë një asistimi të bukur të Alfie Mawson.

Deri në mbyllje të pjesës së parë nuk pati gola të tjerë dhe skuadrat shkuan në pushim me shifra identike.

(Foto: Getty Images)
Dhe kur zhvillohej minuta e 61-të, Swansea e përmbysi rezultatin. Goli erdhi pas një gabimi të Topçinjve, e në veçanti të portierit Petr Cech, i cili ia dhuroi topin Jordan Ayewut.

Për të vulosur fitoren u kujdes Sam Clucas me golin e dytë personal nga një top që shkoi në drejtim të tij, ndërsa i gjithë aksioni u nis nga gabimi i të zgjedhurve të Arsene Wenger.

Pas kësaj humbjeje, Arsenali mbetet në vend të gjashtë në tabelë, me tri pikë prapa Tottenham Hotspur që ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.

Para fillimit të kësaj ndeshjeje, Swansea City ishte skuadra e fundit në tabelë, mirëpo me këtë triumf është ngritur në vendin e 17-të dhe do të shpresojë për t’i shpëtuar rënies nga liga.

Në xhiron e ardhshme, Arsenali luan kundër Evertonit, ndërsa Swansea City udhëton te Leicester City.