Mungesa e një plani afatgjatë po e zhyt botën në një krizë të re energjetike, ku faturën e paguajnë njerëzit e thjeshtë dhe jo miliarderët e Uashingtonit
Deklaratat e fundit të Pentagonit dhe administratës Trump mbi operacionin ushtarak në Iran, ngjajnë më shumë me një skenar kaotik sesa me një strategji të mirëfilltë gjeopolitike. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u përpoq të qetësonte opinionin publik duke thënë se ky “nuk është Iraku”, dhe se qëllimi nuk është “ndërtimi i demokracisë”.
Por, ndërsa ai mohon “ndryshimin e regjimit“, shton me një ironi therëse se “regjimi ndryshoi dhe bota është më mirë”. Ky dualizëm gjuhësor fsheh një realitet të frikshëm: Uashingtoni ka hyrë në një tunel pa dritë në fund.
Analistët më me përvojë në SHBA po ngrenë alarmin se kjo administratë nuk ka asnjë plan afatgjatë për Lindjen e Mesme. Donald Trump, i cili dikur premtonte fundin e “luftërave të pafundme“, tani e gjen veten duke parashikuar me gjakftohtësi rritjen e numrit të viktimave amerikane.
Deklaratat e tij janë kontradiktore: nga njëra anë pretendon se programi bërthamor iranian u shndërrua në “rrënoja” vitin e kaluar, e nga ana tjetër justifikon sulmet e reja pikërisht për të parandaluar armatosjen bërthamore.
Nëse kërcënimi ishte asgjësuar, përse po bombardohet sot? Nëse qëllimi nuk është përmbysja e pushtetit, përse u eliminua Udhëheqësi Suprem, duke e lënë një shtet 90-milionësh në prag të anarkisë? Ajo që po “katranoset” në Iran nuk është thjesht një operacion ushtarak, por destabiliteti i gjithë globit.
Ndërsa Trump flet për një luftë që mund të zgjasë “4-5 javë” nga komoditeti i rezidencave të tij, faturën e vërtetë po e paguajnë të tjerët. Mbi 550 iranianë të vrarë, trupa amerikane të rënë në detyrë dhe pilotë që qëllohen “gabimisht” nga aleatët në Kuvajt, janë vetëm fillimi i një rrokullisjeje të përgjakshme.
Miliarderët rreth Trump)it nuk do t’i ndjejnë pasojat. Për ta, lufta është një variabël në grafikët e bursës. Por për qytetarin e thjeshtë kudo nëpër botë, ky kaos përkthehet në një krizë të re ekonomike. Me Ngushticën e Hormuzit thuajse të bllokuar dhe me kostot e transportit që po ngrihen në qiell, çmimi i naftës dhe gazit do të gjunjëzojë ekonomitë familjare.
Historia po përsëritet në formën e saj më tragjike. Po shohim një tjetër aventurë ushtarake pa plan daljeje, ku retorika e “misionit të qartë” maskon mungesën totale të vizionit, duke lënë pas vetëm gjak, rrënoja dhe një botë shumë më të pasigurt. /tesheshi.com/



