As rikthimi i Mbappes nuk e këndell PSG-ën

Paris Saint-Germain as në xhiron e dytë nuk ka arritur të fitojë, pasi barazoi me Toulousen 1-1.

Kampioni i Ligue 1 e nisi mbrojtjen e titullit javën e kaluar me barazim pa gola në shtëpi me Lorient, ndërsa gjatë kësaj jave rikthyen në ekip Kylian Mbappen.

Rikthimi i sulmuesit 24-vjeçar ishte vendim i duhur, pasi ai shënoi golin e tyre të vetëm në këtë takim, por që kishte vlerën e një pike.

Përkundër rasteve, pjesa e parë përfundoi pa gola, ndërsa në pjesën e dytë ishte një skenar tjetër.

Në minutën e 62-të, PSG fitoi një penallti, të cilën në gol e konvertoi Mbappe, që u inkuadrua nga banka rezervë në minutën e 51-të në vend të Lee Kang-In.

Mirëpo, parisienët nuk ia dolën të mbanin këtë epërsi, pasi edhe vendasit kishin një penallti.

Në minutën e 85-të, Zakaria Aboukhlal e mori përgjegjësinë të gjuante nga pika e bardhë dhe ia doli të mposhte me sukses Gianluigi Donnarumman.

Pas javës së dytë, PSG ka vetëm dy pikë të grumbulluara, ndërsa në xhiron e tretë takohet me Lens.