Asani kërkon ta veshë fanellën e Kosovës

Kosova ka talente të mëdha jashtë kufijve të saj dhe njëri nga ta është edhe Edonis Asani.

Mbrojtësi i talentuar është pjesë e skuadrës së madhe zvicerane Basel, mirëpo është huazuar këtë edicion tek FC Solothurn për një vit para se të kthehet tek kampionët e Zvicrës.

Është vetëm 18-vjeç dhe shihet si e ardhmja e mbrojtjes së Baselit.

Në një prononcim për Telegrafin, Edonisi ka treguar se pse është huazuar në Solothurn.

“Përveç futbollit jam duke e kryer edhe shkollën dhe zanatin dhe kjo ka qenë arsyeja që jam huazuar në Solothurn. Duhej të udhëtoja më shumë se një orë dhe Basel ka vendosur të më huazojë për një vit deri sa të përfundojë gjithçka këtu pastaj do të kthehem”, deklaroi Asani.

Ai është nga Kosova lindore, mirëpo ka bërë të qartë dëshirën e tij të madhe që të grumbullohet nga grupmoshat e Përfaqësueses së Kosovës.

“Jam duke luajtur të gjitha ndeshjet në Solothurn dhe jam në formë të mirë. Pas përfundimit të stinorit do të kthehem në Basel. Shpresojë që një ditë të grumbullohem nga Përfaqësuesja U19 apo U21 e Kosovës”.

“Unë jam i gatshëm ta ndihmojë vendin tim sa herë që kërkohet një gjë e tillë nga unë”, tha Asani.

Synimi i mbrojtësit shtatlartë është që të kthehet në Basel në qershor pastaj të arrijë një ditë në ekipin e parë tek kampionët e Zvicrës.

“Po mund të them që ëndrra ime e madhe është që një ditë të luaj në ekipin parë të Baselit. Jam duke punuar shumë për ta bërë realitet këtë ëndërr”, përfundoi Asani për Telegrafin.

Përfaqësuesja A e Kosovës ka filluar ndeshjet zyrtare nën ombrellën e UEFA-s dhe FIFA-s, ndërsa të njëjtën gjë pritet ta bëjnë tani edhe grupmoshat nga U21 deri më U15.

Biondi kosovar ka një talent të madh dhe vlerësohet lartë në Zvicër, ndërsa një ftesë nga Kosova do ta pranonte me gjithë dëshirë.