Asociacioni i asociacioneve

Lulzim Beqiri

Bashkimi i asociacioneve të komunave me shumicë shqiptare do të ndikonte jashtëzakonisht mirë në shumë sfera, si në infrastrukturë, prodhim e tregti. Madje, bashkimi ekonomik nënkupton ndikim të të gjitha forcave të shoqërisë në përmirësimin e situatës ekonomike, sidomos të Kosovës dhe Shqipërisë, pa harruar edhe Luginën e Preshevës, shqiptarët në Malin e Zi dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut e Çamëri, pastaj duke ofruar alternativa për mërgatën shqiptare, e cila përbëhet prej më shumë se 4 milionë shqiptarëve.

Shkruan: Lulzim BEQIRI, Prishtinë

Kosova po përballet me presionin më të madh që nga paslufta lidhur me ujdinë për themelimin e një të ashtuquajturi Asociacion i Komunave me Shumicë Serbe. Ky asociacion gjenezën e ka në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, të nënshkruar nga qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë, mirëpo këto marrëveshje asnjëherë nuk kanë gjetur zbatim për faktin se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar shkelje kushtetuese dhe ka rekomanduar që themelimi të bëhet sipas Kushtetutës së Kosovës, duke mos cenuar sovranitetin dhe ligjshmërinë në vend.

Ditë më parë palët në bisedime janë pajtuar për një marrëveshje të re për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë me banorë të Kosovës të komunitetit serb, porse kësaj radhe ky asociacion do të quhet vetëmenaxhim i komunave me shumicë serbe, që janë në veri të Kosovës. Garantues të kësaj marrëveshjeje janë Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por cili është ndikimi ekonomik i këtij asociacioni që Serbia po e kërkon me ngulm, ndërsa Kosova po e kundërshton me ngulm? Sipas asaj që është prezantuar, Serbia do ta mbështesë financiarisht Asociacionin duke e mbajtur edhe më tej si faktor destabilizues rajonin e veriut të vendit, siç po u mundësohet strukturave paramilitare e paraushtarake ta kontrollojnë atë pjesë. Jorrallëherë në atë pjesë janë parë edhe kriminelë nga shteti fashist i Rusisë, njerëz të sanksionuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, duke u mundësuar bandave kriminale lulëzimin e krimit, kontrabandës, drogës, dukurive të tjera shqetësuese për rajonin ku banojnë kryesisht shtetas të Kosovës të komunitetit serb.

Serbia, e cila që nga paslufta investon miliona euro për strukturat paralele, muaj më parë – si rezultat i ndikimit të Serbisë – bëri që qindra policë, ushtarë e gjykatës ta braktisin sistemin shtetëror të Kosovës, për t’u rreshtuar në sistemin paralel serb. Kështu Serbia me çdo kusht mundohet ta paraqesë Kosovën si vatër e krizave të ndryshme, duke ndikuar që rajoni të jetë i varfër e nën tension, ndërsa pakënaqësia qytetare të rritet edhe më tepër, duke ndikuar kjo edhe më tej në mosnjohjen e 5 vendeve të tjera të BE-së. Qytetarët e Kosovës ende e paguajnë energjinë elektrike për shtetasit e Kosovës të komunitetit serb. Mbi 20 milionë euro kosovarët kanë paguar për bashkëkombësit e tyre të nacionalitetit serb, si dhe qindra mijëra euro për furnizim me ujë të pijshëm. Nuk besoj që ndodh në botë një diskriminim i tillë pozitiv. Me vetëm 5-6 % të popullsisë gëzojnë vende të rezervuara në kuvendin e Kosovës, por prapë bashkësia ndërkombëtare nuk e merr për bazë këtë situatë, madje e kërcënon Kosovën me izolim me shtyrje të integrimit në BE, duke harruar se Kosova ishte viktima.

Mendoj se tashmë ideja e shpërfaqur kohëve të fundit se edhe rajonet e tjera të banuara me shqiptarë të kërkojnë themelimin e asociacioneve të tyre është ide e mirë, që nuk vjen si revansh ndaj askujt, pos si domosdoshmëri e kohës. Shqiptarët mund të themelojnë asociacione në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, në Luginë të Preshevë, pra janë dhjetëra komuna të cilat duke u bazuar në standardin e BE-së dhe përkëdheljen ndaj komunitetit serb mund të themelojnë asociacione në shtetet e tyre. Serbët në Kosovë përbëjnë rreth 6% të popullsisë si banorë rezidentë dhe kanë kaq shumë mbështetje ndërkombëtare, ndërsa shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë mbi 30% e nuk kanë asociacion. Andaj nuk duhet hedhur poshtë ideja që të themelohen edhe asociacione shqiptare me banorë shqiptar të shteteve fqinje, që kryesisht janë në numër tepër më të madh se serbët e Kosovës, madje gëzojnë shumë më pak të drejta etnike sesa serbët.

Republika e Kosovës duhet t’i prijë një iniciative e cila do të mbledhë një grup të madh të investitorëve me përkatësi shqiptare, duke u koordinuar gjithmonë me komunitetin ku jetojnë shqiptarët, në mënyrë që të ndalet makineria ekonomike serbe, e cila e ka tendencën për ta pushtuar Republikën e Kosovës, të paktën ekonomikisht, dhe kjo vjen edhe si strategji duke themeluar Asociacionin me kompetenca ekzekutive ku parashihet edhe menaxhimi i të hyrave doganore në pjesën veriore, duke e destabilizuar edhe me tej atë pjesë të rëndësishme të shtetit të Kosovës.

Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginë e vende tjera ku jetojnë shqiptarët do të ishte përgjigja e duhur si domosdoshmëri ndaj kërkesave të BE-së ndaj Kosovës. Një bashkim i komunave shqiptare do të ndikonte jashtëzakonisht mirë në zhvillimin e tyre, madje bashkimi ekonomik i shqiptarëve është domosdoshmëri e kohës. Duke qenë një popull me kulturë e tradita të njëjta, me plane strategjike të përbashkëta, mjafton bashkimi i kapitaleve të tyre që ta mbizotërojnë tregun rajonal, të jenë faktor themelor në ekonominë e vendeve tona e të Bashkimit Europian, një ekonomi e cila përbëhet prej një tregu të mbi 500 milionë konsumatorëve. Shqiptarët janë të orientuar nga vlerat e BE-së, NATO-s, sikundër që serbet janë të orientuar drejt vlerave fashiste të Moskës. Prandaj edhe duhet të themelohen asociacione të komuniteteve tjera, pasi që BE-ja po e konsideron këtë si respektim të të drejtave të komuniteteve.

Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Serbia ende mbetet shteti i cili eksporton dukshëm mallra më shumë në Kosovë sesa shteti shqiptar, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi, ndonëse Serbia i ka shkaktuar dëme marramendëse ekonomike e njerëzore. Ne prapë po blejmë nga ata, edhe ata kanë vrarë e masakruar mbi 12 mijë civilë të pafajshëm, kanë dhunuar mbi 20 mijë gra e vajza, kanë djegur më shumë se 100 mijë shtëpi, e kanë grabitur fondin pensional e çka jo tjetër. Prandaj është vërtetë shqetësuese pushtimi i tregut kosovar nga produktet serbe, kjo në kohën që Republika e Serbisë, me klasën politike që e ka në pushtet, ende vazhdon ta konsiderojë Kosovën pjesë të saj, madje e ka edhe në kushtetutën e saj, ka një diplomaci të tërë kundër Republikës së Kosovës, nuk ka fushë që nuk është duke e dëmtuar Kosovën, ndërsa ne ua pimë rakinë e ftoit dhe ua reklamojmë produktet, madje deri tash nuk kemi as iniciativa që të bashkohemi të paktën në asociacione të tilla siç po kërkon Serbia për popullatën me përkatësi serbe në Kosovë.

Serbia vazhdimisht prodhon kriza, duke synuar sovranitetin e Republikës së Kosovës. Ajo pretendon edhe në pasuritë e tjera, përveç veriut të vendit. Në Brezovicë, qendra turistike dimërore deri në dy vitet e fundit menaxhohej nga strukturat paralele të shtetit të Serbisë, që do të thotë se të gjitha të hyrat që i kishte kjo ndërmarrje shoqërore nga vizitorët, me përjashtim të parkimit të veturave, derdheshin në fonde të Serbisë. Kjo ndërmarrje nuk kishte paguar asnjë taksë për shtetin e Kosovës, fakt ky që e kishte dëmtuar buxhetin e vendit, ndërsa për këtë as edhe një fjalë nuk është thënë nga bashkësia ndërkombëtare. Vetëm borxhi ndaj Administratës Tatimore të Kosovës deri më tani është 4.5 milionë euro. Ndërkaq, ligjet për menaxhimin e tatimeve janë të njëjta për të gjitha komunat, por që në Komunën e Shtërpcës shef po del të jetë Serbia dhe llogaridhënia i bëhej asaj. Andaj falë strategjisë afatgjate shtetërore fatmirësisht kjo ndërmarrje tashmë operon sipas ligjeve të Kosovës.

Bashkimi i asociacioneve të komunave me shumicë shqiptare do të ndikonte jashtëzakonisht mirë në shumë sfera, si në infrastrukturë, prodhim e tregti. Madje, bashkimi ekonomik nënkupton ndikim të të gjitha forcave të shoqërisë në përmirësimin e situatës ekonomike, sidomos të Kosovës dhe Shqipërisë, pa harruar edhe Luginën e Preshevës, shqiptarët në Malin e Zi dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut e Çamëri, pastaj duke ofruar alternativa për mërgatën shqiptare, e cila përbëhet prej më shumë se 4 milionë shqiptarëve. Andaj duhet shfrytëzuar kapacitetet e tyre, sepse ata janë treguar investitorë seriozë në vendet ku jetojnë.

Sipas INSTAT-it, në muajin janar 2023, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me janarin e vitit 2022 janë: Maqedonia (207,5 %), Kosova (31,4 %) dhe Greqia (81,6 %). Ndërsa vendet me të cilin eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë Italia (-4,1 %), Gjermania (-17,7) dhe Kina (-24,2 %). Në muajin janar 2023, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe te importeve janë: Kina (27,4 %), Gjermania (16,2 %) dhe SHBA-ja (67,1 %). Ndërkaq vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, në krahasim me janarin e vitit 2022 janë: Italia (12,3 %), Turqia (4,4 %) dhe Greqia (7,1 %)

Importi sipas vendeve, 2018-2022

Milionë lekë / Million ALL
  2018 2019 2020 2021 2022
Gjithsej 641,466 649,118 605,262 800,718 950,381 Total
Kosovë  8,909  7,735  8,305  15,441  16,604  Kosova
Mali i Zi  2,252  2,102  2,296  4,606  4,979  Mali i Zi
Maqedonia e Veriut  9,591  8,571  9,074  13,675  15,483  Maqedonia e Veriut
Serbia  21,710  23,053  22,971  28,031  32,197  Serbia

Burimi: INSTAT.

Kosova, gjatë vitit 2022, ka importuar mallra nga Shqipëria në vlerë prej 254 milionë eurosh, ndërsa ka eksportuar mbi 100 milionë euro mallra. Kjo shifër duhet të ndryshojë dhe ashtu të rritet bashkëpunimi midis shqiptarëve kudo që ata jetojnë.

Duke u bazuar edhe në nisma të ndryshme, siç ishte procesi i Berlinit e Ballkani i Hapur, pse mos të konsiderohet edhe themelimi i asociacioneve me popullsi shumicë shqiptare përderisa asnjëherë në histori shqiptarët nuk u kanë shkaktuar dëme vendeve fqinje, pse mos të zhvillohen edhe ata duke u bashkuar kapitali i tyre për t’i zhvilluar vendet e tyre?! /revistashenja