Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Atentati që e përndjek Maqedoninë prej 31 vjetësh…

Atentati që e përndjek Maqedoninë prej 31 vjetësh…

Kush tentoi të vriste presidentin Kiro Gligorov?

Më 3 tetor 1995, presidenti i parë i Maqedonisë së pavarur, Kiro Gligorov, u bë objektiv i një atentati me bombë që për pak sa nuk i mori jetën.

Tridhjetë e një vjet më vonë, autorët dhe porositësit e sulmit ende nuk janë identifikuar dhe çështja është rikthyer në qendër të debatit politik, me dy partitë kryesore që akuzojnë njëra-tjetrën për trashëgiminë politike që lidhet me atë periudhë.

Atentati ndodhi vetëm një ditë pasi Gligorov ishte takuar në Beograd me presidentin e atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviç. Përmbajtja e takimit nuk është bërë kurrë plotësisht publike, duke ushqyer edhe më tej spekulimet rreth motiveve të sulmit.

Mëngjesin e 3 tetorit 1995, rreth orës 09:50, Gligorov po udhëtonte nga banesa drejt parlamentit në qendër të Shkupit. Kur makina e tij kaloi pranë hotelit historik Bristol, në Rrugën Maqedonia, një bombë e komanduar në distancë dhe e fshehur në një Citroën Ami 8 të parkuar aty pranë u aktivizua.

Sipas hetimeve, në atentat u përdorën rreth 20 kilogramë eksploziv. Shpërthimi e plagosi rëndë Gligorovin, veçanërisht në kokë dhe në zonën e syrit, ndërsa shoferi i tij, Aleksandar Spirovski, humbi jetën. Truproja Ilço Teovski u plagos, ndërsa një kalimtar u vra më vonë dhe disa persona të tjerë mbetën të plagosur.

Policia kontrolloi më shumë se 30 mijë automjete, mbi 15 mijë ndërtesa dhe rreth 19 mijë persona. U morën në pyetje edhe persona të konsideruar të dyshimtë, por askush nuk u akuzua përfundimisht.

Hetuesit arritën në përfundimin se atentati ishte përgatitur me kujdes dhe ishte organizuar në mënyrë profesionale, por nuk përcaktoi publikisht se kush e kishte planifikuar apo ekzekutuar.

Në atë kohë, Maqedonia ishte një shtet i ri, vetëm katër vjet pas shpalljes së pavarësisë. Vendi përpiqej të shkëputej nga trashëgimia e Jugosllavisë dhe ndikimi i Beogradit, ndërsa kërkonte një orientim të pavarur në politikën e jashtme.

Vetëm disa javë para atentatit, më 13 shtator 1995, Shkupi dhe Athina kishin nënshkruar Marrëveshjen e Përkohshme në Nju Jork, duke hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Gligorovi ishte figura kryesore e kësaj politike të ekuilibruar. Ai kishte synuar ta mbante vendin larg luftërave të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe ta orientonte drejt integrimit euroatlantik.

Pikërisht kjo ka ushqyer një nga pyetjet që vazhdon të mbetet pa përgjigje: a u shënjestrua Gligorovi për shkak të një vendimi konkret politik, orientimit të tij ndërkombëtar apo për një arsye tjetër?

Gjatë viteve janë hedhur shumë teori. Njëra prej tyre lidhet me grupin e fuqishëm bullgar të biznesit Multigroup, të drejtuar nga Ilija Pavlov, i cili u vra në vitin 2003.

Kompania kishte interesa të rëndësishme në Maqedoni gjatë viteve ’90 dhe, sipas kësaj teorie, Gligorovi dhe disa anëtarë të qeverisë po përpiqeshin të kufizonin ndikimin ekonomik dhe politik të grupit.

Por asnjë nga këto teori nuk është shndërruar në një përfundim gjyqësor. Pikërisht këtu qëndron edhe arsyeja pse çështja është rikthyer në politikë.

Social Demokratët (SDSM) e përdorën përvjetorin për të sulmuar VMRO-DPMNE-në dhe kryeministrin Hristijan Mickoski, duke e lidhur atentatin me traditën politike të VMRO-së së vjetër dhe me figura të mëvonshme të partisë.

SDSM ka përmendur edhe ish-kryeministrin Nikola Gruevski, i cili në vitin 1995 drejtonte një departament në Balkanbank, bankë që atëherë kontrollohej nga Multigroup. Por kjo është një lidhje politike e përdorur në debat dhe nuk është provë se VMRO-DPMNE-ja apo drejtuesit e saj kanë pasur rol në atentat.

VMRO-DPMNE i ka hedhur poshtë akuzat dhe ka kërkuar prova. Partia ka kundërsulmuar duke kujtuar se hetimi mbeti i pazgjidhur edhe gjatë periudhave kur SDSM ishte në pushtet, duke ngritur pikëpyetje mbi përgjegjësinë e ish-ministrit të Brendshëm Ljubomir Frçkoski, i cili drejtonte ministrinë në kohën e atentatit.

Gligorovi mbijetoi, u rikthye në detyrë më 10 janar 1996 dhe qëndroi president deri në vitin 1999. Ai vdiq në vitin 2012, në moshën 94-vjeçare. Por misteri mbeti. Maqedonia e Veriut ka ndryshuar rrënjësisht që nga viti 1995.

Është anëtarësuar në NATO, ka ndryshuar emrin dhe ka kaluar disa kriza të mëdha politike. Megjithatë, një nga sulmet më të rëndësishme të historisë së saj të hershme vazhdon të jetë pa autor. Dhe çdo 3 tetor, pyetja rikthehet: kush tentoi ta vriste Kiro Gligorovin dhe pse? \tesheshi