Bahtiri e përkrah ndërtimin e murit mbi lumin Ibër

Ndërtimi i një muri në pjesën veriore të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë ka shkaktuar reagime të shumta në skenën politike në Kosovë, e sidomos nga opozita.

Reagime të ashpra në nivel qendror madje pati edhe nga partia e cila është në koalicion me kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtirin, shkruan lajmi.net.

Këta të fundit vazhdimin e ndërtimit të murit e cilësuan si “betonizim të ndarjes së Kosovës”.

“Vetëvendosje e konsideron të papranueshëm ndërtimin e Murit dhe heshtjen absurde të Qeverisë së Kosovës karshi kësaj dhe shtrirjes së vazhdueshme të sovranitetit serb në Kosovë”, thuhej ndër të tjera në reagimin e Vetëvendosjes.

Mirëpo, kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, nuk po sheh diçka të keqe në ndërtimin e këtij muri.

Ai në një prononcim për lajmi.net tha se gjithçka është në kuadër të marrëveshjes së arritur në Bruksel.

“Unë nuk e di se ku ka shkaktuar shqetësim, unë e di te marrëveshja që u arrit në Bruksel dhe në Prishtinë, kjo e fundit ka qenë pa praninë time, dhe është arritë marrëveshja që nuk është ai muri, por ai është 40 centimetra dhe më e madhja është 70 centimetra e cila e ndan rrethrrotullimin prej shëtitores”, deklaroi Bahtiri.

“Unë mendoj që është normale, nuk ka asgjë të keqe, nuk është asgjë përmbi marrëveshje por është dicka në kuadër të kësaj marrëveshjeje të arritur”,shtoi ai.

Tutje, Bahtiri tha se ai është duke inspektuar punimet dhe se shqetësimet e ngritura nuk është se qëndrojnë, po ashtu tha se ndërtimi i këtij muri pritet të përfundojë këtë muaj.

“Inspekcioni janë tu e përcjell çdo lëvizje dhe unë isha dje e pashë vetë, dhe kjo nuk do të thotë asgjë, ata munden me thanë çka të dojnë mirëpo e vërteta është kjo që nuk ka asnjë shqetësim, por është marrëveshje që është arrit dhe un shpresoj që të përfundojë këtë muaj”, shtoi tutje Bahtiri.

Ndërsa i pyetur për shqetësimet e ngritura pikërisht nga partneri i tij i koalicionit, Vetëvendosja, Bahtiri tha se partitë kanë të drejtë të ankohen, mirëpo një marrëveshje e tillë është arritur në kohën e qeverisjes së Isa Mustafës.

“Nuk kam asgjë kundër askujt, kanë të drejtë të gjitha partitë me kritiku, por kjo është marrëveshja që është arritë në qeverinë e udhëhequr nga Isa Mustafa, dhe është duke u përfunduar, dhe nuk ka asgjë për tu shqetësuar, dhe mendoj që është duke u bërë diçka e mirë”, përfundoi Bahtiri.

Kujtojmë se zhurmë e madhe ishte bërë për rivitalizimin e urës mbi lumin Ibër, proces në të cilin ishin përplasur kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, dhe ai i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, me këtë të fundit që vazhdimisht cilësonte se situata e sigurisë në Mitrovicë është shumë e brishtë për hapjen e kësaj ure.