Barcelona fiton në fund ndaj Betisit

Barcelona ka marrë një fitore të vështirë në udhëtim te Betisi, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 35-të në La Liga.

Takimi i zhvilluar në “Benito Villamarin” përfundoi 2:1 në të mirë të mysafirëve.

Barça realizoi e para me Ansu Fatin në minutën e 76-të, por nuk arriti të mbante epërsinë më shumë se tre minuta. Ish-lojtari katalanas Marc Bartra (79’) realizoi për 1:1.

Por skuadra e udhëhequr nga Xavi nuk u dorëzua, dhe ia arriti të realizonte golin e fitores në minutën e fundit përmes Jordi Albas, gol i cili i siguroi katalanasve kualifikimin në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Barcelona mbetet në vendin e dytë me 69 pikë, ndërsa Betisi është i pesti me 58 sosh.