Bayerni duhet ta lërë prapa eliminimin nga “Championsi”

Bayern Munichu duhet ta lërë prapa eliminimin nga Liga e Kampionëve nga Manchester City dhe të përqendrohet vetëm në Bundesligë.

Bavarezët, të shtunën, nga ora 15:30, do të luajnë në udhëtim te Mainzi në kuadër të xhiros së 29-të të Bundesligës.

Bayerni është i pari në tabelë me 59 pikë, dy pikë më shumë se Dortmundi, ndërsa Mainzi është në pozitën e tetë me 42 pikë.

Bayern – Mainz është përballje e dy skuadrave më në formë në pjesën e dytë të sezonit.

Mainzi ka fituar plot 22 pikë, ndërsa Bayerni ka marrë 23 pikë në pjesën e dytë të elitës së futbollit gjerman.

Thomas Tuchel do të jetë përballë ish-skuadrës. Qëkur u largua nga Mainzi, trajneri aktual i Bayernit është ballafaquar katër herë me këtë skuadër sa ishte në krye të Dortmundit. Nuk ka humbur asnjëherë. I ka fituar tri ballafaqime, ndërsa një tjetër është mbyllur baras.

Mainzin, Tucheli e ka udhëhequr prej vitit 2009 deri në vitin 2014. Kjo skuadër është në formë të mirë së fundmi, pasi nuk ka pësuar humbje në nëntë ndeshjet e fundit. Ka pesë fitore e katër barazime.

Dortmundi të shtunën po ashtu do të ketë punë pak më të vështirë. Takohet me Eintracht Frankfurtin nga ora 18:30.

Frankfurti është në pozitën e shtatë me 42 pikë, sa ka edhe Mainzi, ndërsa që të dyja synojnë të zënë një vend për garat evropiane edicionin tjetër.

Frankfurti në radhët e veta e ka golashënuesin më të mirë të Bundesligës për vitin 2023. Randal Kolo Muani ka shënuar tetë gola gjithsej.

Por në tërësi Dortmundi ka qenë skuadër më e mirë në 11-të ndeshjet e fundit në shtëpi, pasi i ka fituar 10-të prej tyre. E ka humbur vetëm një ballafaqim.

“Verdhezinjtë” kanë tetë fitore rresht në Bundesligë në shtëpi, por asnjëherë nuk i kanë realizuar nëntë fitore të njëpasnjëshme në Bundesligë, në “Signal Iduna Park”.