Bayerni e Leverkuseni pritet të vazhdojnë serinë pozitive

Kampioni në fuqi, Bayern Munichu dhe Bayer Leverkuseni pritet të vazhdojnë me formën e mirë këtë edicion edhe në xhiron e pestë të Bundesligës gjermane. Si Bayerni ashtu edhe Leverkuseni, luajnë në shtëpi dhe llogariten favoritë përballë Bochumit, përkatësisht Heidenheimit. Megjithatë Bayerni luan me Bochumin, të shtunën në orën 15:30, ndërsa Leverkuseni e pret Heidenheimin në kohën e njëjtë, por të dielën. Këto dy skuadra ende nuk dinë për humbje këtë edicion, ndërsa në xhiron e shkuar barazuan 2:2 mes vete. Kanë tubuar nga 10 pikë, por Leverkuseni është më lartë në tabelë për shkak të goldallimit më të mirë.

Të shtunën zhvillohen edhe pesë ndeshje tjera, ndërsa veçohen Borussia Dortmund – Wolfsburg dhe Borussia Moenchengladbach – Leipzig. Edhe këto dy duele nisin në orën 15:30, ndërsa Dortmundi synon fitoren e tretë në pesë ndeshje, ku ka regjistruar edhe dy barazime. Dortmundi ka 8 pikë, një më pak se Wolfsburgu që ka regjistruar tri fitore e një humbje. Nëntë pikë i ka edhe Leipzigu, i cili ka një udhëtim të vështire te Gladbachu, ekip që është në kërkim të fitores së parë pas dy barazimeve dhe dy humbjeve deri më tani.

Ndeshja mes Eintracht Frankfurtit dhe Freiburgut, që luhet të dielën prej orës 17:30 është e fundit në kuadër të xhiros së pestë të kampionatit gjerman.