Bayerni e nis mbrojtjen e titullit ndaj Werderit

Bayern Munichu do ta nisë mbrojtjen e titullit në udhëtim te Werder Bremeni, në ndeshjen hapëse të sezonit të ri të Bundesligës.

Ky ballafaqim do të zhvillohet më 18 gusht.

Do të jetë takimi i 113-të ndërmjet Bayern Munichut dhe Werder Bremenit në Bundesligë.

Është dueli më i shpeshtë në Bundesligë, qëkur dyja skuadrat nisën garimin në elitën e futbollit gjerman në vitin 1963.

Para këtij ballafaqimi, Bayerni si fitues i titullit, do të luajë kundër Leipzigut në Superkupën e Gjermanisë, më 12 gusht.

Borussia Dortmundi, që e humbi titullin vetëm për shkak të goldallimit më të dobët në edicionin e fundit, e nis kampanjën në shtëpi kundër Koelnit më 19 apo 20 gusht.

“Klasikja” e parë ndërmjet Bayernit dhe Dortmundit do të luhet në stadiumin “Signal Iduna Park” më 3, 4 apo 5 nëntor.

“Klasikja” e dytë e sezonit në Munich do të zhvillohet më 30 ose 31 mars.

Ndeshja e parë e Heidenheimit në elitën e futbollit gjerman do të jetë në udhëtim te Wolfsburgu më 19 ose 20 gusht.

Skuadra tjetër e inkuadruar në Bundesligë për këtë edicion, Darmstadt e viziton rivalin lokal, Eintracht Frankfurtin, në të njëjtin vikend.