BE-ja dënon djegien e veturave me targa RKS në veri

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka dënuar djegien e veturave me targa RKS në veri të vendit përgjatë dy ditëve të njëpasnjëshme.

Ai ka theksuar se veprimet e tilla për frikësimin e popullatës janë të papranueshme.

“E dënoj fuqishëm djegien e veturave të riregjistruara së fundmi me targa RKS në veri të Kosovës. Shkatërrimi i pronës private që ka ndodhur gjatë dy ditëve të fundit, me qëllim të frikësimit të popullatës lokale është për të ardhur keq, i papranueshëm dhe duhet të dënohet nga të gjithë akterët përkatës”, ka shkruar ai në Twitter.

Szunyog u ka bërë thirrje agjencive të zbatimit të ligjit që të identifikojnë dhe ndjekin me shpejtësi përgjegjësit.

Më 30 mars në Zubin Potok u dogjën fillimisht dy vetura me targa RKS. Pronarët e tyre në polici kanë thënë se i kishin regjistruar një javë më parë dhe se në kohën e djegien ishin të parkuara poshtë shtëpive ku jetonin.

Më 31 mars janë djegur edhe tri vetura të tjera të qytetarëve të nacionalitetit serb, të cilat ishin të parkuara – njëra në Zveçan dhe dy në veri të Mitrovicës. Edhe këto kishin targat me riregjistrimin RKS.