BE përgatit kundërmasa për taksat amerikane për automjetet

BRUKSEL, 19 korrik /ATSH-AFP/ – Bashkimi Europian po përgatit një listë të produkteve amerikane që mund të taksojë, në rast të vendosjes së tarifave doganore për automjetet, konfirmoi sot komisionerja europiane për Tregtinë, Cecilia Malmstrom.

“Ne po përgatitim me shtetet anëtare një listë me kundërmasa dhe e kemi shprehur qartë për partnerët tanë amerikanë”, theksoi Malmstrom gjatë një fjalimi para qendrës së analizës, “German Marshall Fund” në Bruksel duke shtuar se taksat e mundshme të Uashingtonit ndaj automjeteve të BE-së do të përbënin një shkatërrim.

“Kjo listë po përgatitet, por ajo do të bëhet në të njëjtën mënyrë si me çelikun dhe aluminin”, shtoi ajo.

SHBA-ja ka vendosur që prej fillimit të qershorit tarifa doganore prej 25% për çelikun europian dhe 10% për aluminin, një vendim kundër të cilit europianët janë përgjigjur menjëherë nëpërmjet masave kundër disa produkteve amerikane.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar tashmë për taksimin e importeve amerikane të makinave të prodhuara në BE në shkallën 20%.

“Masat e ngjashme me ato të çelikut dhe aluminit për automjetet do të ishin një shkatërrim”, paralajmëroi Malmstrom.

Komisionerja suedeze do të shoqërojë presidentin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker më 25 korrik në Uashington me qëllimin për të gjetur zgjidhje për tensionet tregtare me SHBA-në dhe për avancuar për një axhendë tregtare të përbashkët pozitive./ /ec/ a.jor.