Beni Israilët e ftuan Allahun në gosti

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)

Beni Israilët e pyetën njëherë Musain, a.s.: “O Musa, dëshirojmë ta ftojmë Zotin tonë të hajë me ne nesër në mbrëmje. Lute Atë që ta pranojë ftesën tonë.”

“A nuk e dini, o ju mendjelehtë, që Ai është mbi nevojën për ushqim?!” – u përgjigj i zemëruar Musai, a.s.

Por, kur Musai, a.s., shkoi në Turi Sina, Allahu, xh.sh., i tha: “Përse nuk më lajmërove për ftesën? Robërit e Mi po më ftojnë, thuaju që të premtën në mbrëmje do të vij në gosti.”

Kështu, Musai, a.s., i lajmëroi Beni Israilët që do të vijë Zoti dhe të gjithë filluan menjëherë përgatitjet për gosti.

Të premtën në mbrëmje aty arriti një plak i lodhur nga rruga e gjatë.

– “Po vdes nga uria. Të lutem, më jep diç për të ngrënë!” – i tha Musait, a.s.

– “Bëhu i durueshëm! Zoti i gjithë botëve do të vijë sonte në gosti. Merre këtë shtambë dhe sill ujë!” – i tha Musai, a.s.

Plaku shkoi dhe e solli ujin dhe përsëri kërkoi diç për të ngrënë, por askush nuk deshi ta ushqejë para se të vinte Zoti i Madhërishëm. Koha po kalonte ngadalë, por Zoti nuk u paraqit. Beni Israilët humbën durimin dhe filluan ta shajnë Musain, a.s., që i mashtroi.

Ditën tjetër, Musai, a.s., posa arriti në Turi Sina, iu drejtua Zotit të gjithë botëve: “O Zoti im, jam turpëruar thellë, edhe pse premtove nuk erdhe në gosti.”

Zoti i Madhërishëm tha: “Unë isha në gosti, kërkova që të më ushqesh, e ti më dërgove Mua të sjell ujë. Përsëri kërkova ushqim, por më dërguat për të shërbyer. Ju nuk ishit në gjendje të më prisnit me nderim e respekt.”

Musai, a.s., tha: “O Zoti im! Aty ishte vetëm një plak që kërkoi ushqim, por ai në sytë tonë ishte një njeri i thjeshtë.”

Atëherë, Zoti i Madhërishëm tha: “Unë isha me robin Tim. Sikur atij t’i tregonit respekt, do të më tregonit respekt edhe Mua. Sikur t’i shërbenit atij, do të më shërbenit edhe Mua. Të gjithë qiejt nuk mund të më përfshijnë Mua, por mund të më përfshijë zemra e robit të sinqertë. Unë nuk ha as nuk pi, por respekti ndaj robërve të Mi do të thotë respekt ndaj Meje. Të kujdeseni ndaj robërve të Mi të sinqertë është sikur të kujdeseni për Mua.”

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)