Beteja europiane për gjuhën shqipe

Bardhyl Zaimi

Në esencë, gjithë beteja politike e shqiptarëve të Maqedonisë është betejë për gjuhën shqipe, e cila me Marrëveshjen e Ohrit definohet në kushtetutë si “gjuha që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë”. Një definim që gjatë tërë kohës është problematizuar nga partitë politike, por edhe nga elita intelektuale e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Historia e shqiptarëve është histori e gjuhës.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë

Skena politike në Maqedoninë e Veriut gjithnjë mbetet e trazuar. Përmbi tre dekada duket se normaliteti nuk mund ta gjejë rrugën e vetë. Gjithnjë shfaqen turbulenca dhe gjithnjë aktorët politikë në vend që t’i lehtësojnë gjërat, përkundrazi i vështirësojnë. Gjatë tërë kohës janë shfaqur sfida reale, të cilat për më tepër kanë të bëjnë me performimin shtetëror të Maqedonisë së Veriut, një proces i papërfunduar që kërkon korrigjime të tjera në rrugën drejt normalitetit dhe procesit integrues.

Gjatë tre dekadave, Maqedonia e Veriut ka njohur dinamika të forta politike, kundërvënie, tensione, përkeqësim të raporteve ndëretnike, por edhe logjika të mbrapshta në strukturimin e shtetit, të cilat kanë ardhur si rezultat i mendësive të mëhershme të trashëguara nga elita të caktuara politike. Ngritja e njëanshme e shtetit përmes koncepteve monoetnike ka krijuar plasaritje të mëdha, kundërshti, tensione ndëretnike dhe turbulenca të mëdha politike.

Nga kjo distancë kohore, lehtësisht mund të identifikohen politikat e deplasuara, të cilat gjatë tërë kohës, fatkeqësisht, kanë tentuar që ta ruajnë idenë e mbrapshtë të dominimit, idenë e ekskluzivitetit etnik në kundërshtim me realitetin multietnik të Maqedonisë së Veriut. Kjo duket si konstantë e përhershme tek një pjesë e elitave politike maqedonase, të cilat nuk mund të shkëputen nga mendësitë e vjetra, nga ato recidiva komuniste, që nuk i njohin realitetet ekzistuese, por parapëlqejnë të jetojnë në një lloj simulakre ideologjie etnike, që shtetin e kupton përmes koncepteve etnocentrike, përmes praktikave të deplasuara që nuk janë në përputhje me realitetin demografik, etnik dhe kulturor të Maqedonisë së Veriut.

Pikërisht, këto turbulenca politike, që vijnë si zgjatime të dikurshme, po shfaqen edhe aktualisht, në kohën kur Maqedonia e Veriut duhet ta ndryshojë kushtetutën për ta përfshirë pakicën bullgare, që është një ndër parakushtet për zhbllokimin e procesit të bisedimeve për anëtarësim në BE. Siç dihet tashmë, Maqedonia e Veriut deri në vjeshtë duhet ta hapë kushtetutën dhe t’i përfshijë bullgarët në preambulë. Ka tashmë një zotim nga aktorët e brendshëm politikë, por edhe një impenjim nga faktori ndërkombëtar për këtë imperativ kategorik, që nënkupton vazhdimin e bisedimeve me BE-në.

Por, gjërat nuk duken kaq bardhezi. Dihet tashmë që partia më e madhe opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, por edhe partia “E Majta”, janë kundër këtyre ndryshimeve, me arsyetimin se ky ndryshim prek themelet e shtetit dhe identitetin e maqedonasve. Partitë shqiptare, të gjitha pa përjashtim, kanë deklaruar se i përkrahin ndryshimet kushtetuese si një kusht për ta vazhduar procesin e bisedimeve me BE-në.

Ndërkohë është hapur edhe një debat tjetër në kuadër të ndryshimeve kushtetuese. Partitë politike shqiptare tashmë kanë afishuar kërkesën që në kuadër të ndryshimeve kushtetuese të përfshihet edhe heqja e “20 përqindëshit”, që shihet si nënçmuese për shqiptarët. E deri më tash, BDI-ja është shprehur se nuk duhet që ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në kushtetutë të kushtëzohen edhe me heqjen e formulimit “gjuhën të cilën e flasin 20 për qind e popullatës”. Përndryshe, edhe kjo parti disa herë më parë ka theksuar se është për heqjen e këtij formulimi për gjuhën shqipe.

Megjithatë, që gjërat të komplikohen edhe më tepër, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, ka deklaruar se do të pranonte që partia e tij të jetë pjesë e ndryshimeve kushtetuese nëse debatohet për modelin kroat, që në opinion, nga shumë analistë të vëmendshëm, është interpretuar si një ide që nuk përputhet tërësisht me realitetin multietnik të Maqedonisë së Veriut.

Tash për tash, ky proces është në fazën e konsolidimit të grupit punues për ndryshimet kushtetuese, në të cilin partitë opozitare nuk kanë dërguar përfaqësuesit e tyre. Me gjasë, do të kemi një situatë kundërshtimesh të vazhdueshme, mes njërës palë, që dëshiron t’i çojë përpara procesit, ashtu siç edhe kërkon faktori ndërkombëtar, dhe palës tjetër, e cila në argumentet që ofron i sheh këto ndryshime si të dëmshme dhe jashtë konceptit politik që ata ofrojnë para qytetarëve.

Siç duket, edhe në këto muaj vendimtarë do të kemi lojëra politike që mbeten pjesë e algoritmeve për përfitime elektorale, pavarësisht nëse do të kemi zgjedhje të parakohshme, që duken shumë pak të mundshme, ose zgjedhje të rregullta vitin e ardhshëm. Sigurisht, partitë politike i ndjekin agjendat veta, por në kuadër të këtyre agjendave mund të shfaqen edhe kundërshti tepër të forta, që mund ta rrezikojnë vazhdimin e bisedimeve me BE-në.

Pavarësish nga këto lojëra, hapja e kushtetutës paraqet një momentum edhe për heqjen e formulimit nënçmues “20 për qind”, që e nënkupton gjuhën shqipe. Ndërkohë, ka pasur edhe një prononcim korrekt të presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski, i cili ka mbështetur heqjen e këtij formulimi “E kam thënë disa herë dhe para dy-tri viteve. Absolutisht nuk më pengon dhe i pari do ta mbështes, për shkak se mendoj se është natyrore, normale. Përse identiteti i dikujt, që është i qartë i pakontestueshëm, të fshihet pas shifrave?”, ka theksuar Pendarovski.

Më herët edhe partitë e tjera relevante maqedonase e kanë mbështetur heqjen e këtij formulimi në kushtetutë. Por, aktualisht, duket se ka një rezistencë për heqjen e formulimit “20 për qind” për gjuhën shqipe.

Sidoqoftë, debati tashmë është hapur edhe mbi këtë çështje dhe mbetet shumë e rëndësishme që me argumente politike të kërkohet përfundimisht heqja e formulimit me përqindje për gjuhën shqipe.

Siç dihet tashmë, gjithë aktorët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë treguar një mirëkuptim për çështjet identitare të qytetarëve maqedonas në raport me Bullgarinë. Por, duket se nuk ndodh e njëjta gjë kur është në pyetje identiteti shqiptar, gjegjësisht etablimi i këtij identiteti me emër dhe mbiemër në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, si një e drejtë e patjetërsueshme e afirmuar si koncept barazie që nga fillimet e demokracisë.

Një betejë për identitet gjuhësor dhe kulturor gjatë tërë kohës është zhvilluar edhe në Maqedoninë e Veriut që nga pavarësia si shtet. Nëse ka pasur një përpjekje të përhershme të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për etablim të barazisë në tërësinë shtetërore, ajo ka qenë beteja për zyrtarizim të gjuhës shqipe. Që nga fillimet e sistemit pluralist, por edhe më herët, shpërfaqja e problemit të mospërdorimit të gjuhës shqipe në institucionet e shtetit ka qenë afishim i përhershëm i subjekteve politike, por edhe botës akademike dhe elitave intelektuale.

Në esencë, gjithë beteja politike e shqiptarëve të Maqedonisë është betejë për gjuhën shqipe, e cila me Marrëveshjen e Ohrit definohet në kushtetutë si “gjuha që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë “. Një definim që gjatë tërë kohës është problematizuar nga partitë politike, por edhe nga elita intelektuale e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Historia e shqiptarëve është histori e gjuhës. Të gjitha teoritë identitare të shqiptarëve, përgjatë historisë, por edhe trajektorja e tyre politike, ndërlidhet me gjuhën si komponentë e pandashme e identitetit kombëtar, por edhe e vlerës dhe dimensionit europian. Është momenti i duhur që përfundimisht të hiqet formulimi nënçmues për gjuhën e shqipe në kushtetutë. Dhe, për këtë ka njëmijë argumente europiane, që ndërlidhen me paradigmën e shteteve multietnike, me diversitetin gjuhësor dhe kulturor, me gjithë atë përpjekje europiane për të krijuar kohezion ndëretnik dhe një shtet funksional që i përgjigjet realitetit multietnik. /revistashenja