Ballina Lajmet Kosovë Betohen 515 ushtarë të rinj të Kosovës

Betohen 515 ushtarë të rinj të Kosovës

Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë janë betuar 515 rekrutë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Në këtë ceremoni ka marrë pjesë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kryeministri Albin Kurti e ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci,

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Qeveria synon të investojë mbi 1 miliard euro në ushtri gjatë mandatit aktual, duke e cilësuar forcimin dhe zhvillimin e FSK si një nga prioritetet kryesore.

Këto deklarata Kurti i bëri të premten, gjatë ceremonisë së betimit të rekrutëve të rinj të FSK-së, ku betimin e dhanë 515 ushtarë të rinj.

Gjatë fjalimit të tij, kryeministri e cilësoi këtë si gjeneratën më të madhe të ushtarëve që ka pasur ndonjëherë Kosova, duke vlerësuar se të rinjtë që i bashkohen FSK-së po marrin përsipër një përgjegjësi të rëndësishme për sigurinë dhe mbrojtjen e vendit.

“Sot, këtu në kazermën ‘Adem Jashari’, në një vend ku emri i kryekomandantit simbolizon qëndresën shqiptare dhe sakrificën për liri, jemi mbledhur për të shënuar një ditë të veçantë për ju, për familjet tuaja dhe për Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Kurti.

Ai theksoi se 515 rekrutët e rinj përfaqësojnë një përforcim të rëndësishëm për FSK-në dhe angazhimin e Kosovës për të garantuar sigurinë dhe paqen.

“515 qytetarë të Republikës që kanë zgjedhur t’i shërbejnë atdheut, 515 pushkë më shumë për sigurinë e vendit, 515 garantues të rinj të lirisë dhe të paqes”, u shpreh kryeministri./