Bill Gates: Të pasurit duhet të paguajnë më shumë taksa

Miliarderi amerikan, Bill Gates theksoi se duhet, ashtu si gjithë të pasurit në SHBA, të paguajë më shumë taksa, duke e cilësuar reformën fiskale të presidentit Donald Trump si regresive.

“Duhet të paguaj më shumë taksa”, konfirmoi Gates për CNN.

“Kam paguar më shumë taksa se kushdo, më shumë se 10 miliardë dollarë, por qeveria duhet t’u kërkojë personave në pozitën time të paguajnë taksa më të larta”, shtoi ai.

Personi i dytë më i pasur në botë, pas themeluesit të “Amazon”, Jeff Bezos, bashkëthemeluesi i “Microsoft” ka një pasuri që arrin vlerën e më shumë se 90 miliardë dollarëve, një pjesë të madhe të së cilës e ka përdorur për kauzat humanitare dhe veçanërisht për kërkime mjekësore.

“Ky nuk është një ligj fiskal progresist. Ky është një ligj fiskal regresiv”, theksoi Gates, duke argumentuar se avantazhet ishin ndjerë nga më të pasurit, ndryshe nga konfirmimet e republikanëve, sipas të cilëve kjo reformë synon të sjellë përfitime për punëtorët dhe klasën e mesme./ATSH/