Blinken: SHBA dëshiron të rindërtojë marrëdhëniet me Autoritetin Palestinez

SHBA dëshiron të rindërtojë marrëdhëniet e saj me Autoritetin Palestinez, të prishura nën administratën e Trump, që përfshin planet për të rihapur konsullatën e saj në Jeruzalem dhe zhbllokimin e ndihmës emergjente për Gazën, njoftoi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

“Siç i thashë presidentit Mahmoud Abbas, unë jam këtu për të theksuar angazhimin e SHBA-së për të rindërtuar marrëdhëniet me Autoritetin Palestinez dhe popullin palestinez, një marrëdhënie e bazuar në respekt të ndërsjellë”, tha ai.

Blinken njoftoi kështu vullnetin e SHBA-së për të “përparuar në procesin e rihapjes së konsullatës në Jeruzalem”, që merrej me çështjet palestineze dhe që u mbyll në 2019 nga administrata Trump, pavarësisht mosmiratimit ndërkombëtar.

Në frontin e ndihmës financiare të SHBA-së, administrata e Biden do t’i kërkojë Kongresit Amerikan të lëshojë 75 milionë dollarë (rreth 61 milionë euro) për palestinezët, pas raundit të fundit të dhunës në territoret palestineze. /atsh