Bllokada e qëllimshme ndërshqiptare

Selim Ibraimi

Nuk besohet se shqiptarët do të kenë një konsensus për kërkesat e tyre gjatë ndryshimeve kushtetuese. Nëse 20-përqindëshi do të qëndrojë me vite, rasti do të shkojë në llogari të keqe të karrierës së kryetarëve partive në qeveri, të BDI-së dhe ASH-së, dhe shumë politikanëve të tjerë që flasin ndryshe para ekraneve televizive, kurse punojnë për faktorizimin e kombeve të tjera.

Shkruan: Selim IBRAIMI, Uashington

Përderisa Serbia është aktivizuar fort që të vendoset në qendër të politikës rajonale, shqiptarët në Ballkan në dekadën e tretë të këtij shekulli janë të shkapërderdhur. Në Shqipëri zgjedhjet lokale të 14 majit e gjejnë elektoratin dhe klasën politike të copëtuar. Kandidatët e PS-së kanë gjasa më të mëdha t’i fitojnë komunat, kurse Partia e Lirisë, e Ilir Metës, në koalicion me Sali Berishën, tentojnë të marrin një numër komunash, por pa garanci se do ta mundin PS-në e Edi Ramës. Ndërkaq, në Kosovë, zgjedhjet në veri i kanë nxjerrë qeverisë shumë telashe. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, u shpreh kundër organizimit të zgjedhjeve lokale deri në formimin e Asociacionit. Këtë qëndrim e ka hedhur poshtë qeveria në Prishtinë. Përkundër deklaratës së Quint-it, serbët janë të vendosur për t’i kundërshtuar ligjet e Kosovës dhe institucionet. Kur jemi tek pozita rajonale e shqiptarëve, në Maqedoni të Veriut shqiptarët nuk duhet të presin se do të ndodhë ndonjë gjë e madhe. Derisa në pushtet është dhe do të jetë BDI-ja, vështirë se do të ndryshojë pozita juridike e shqiptarëve.

Gjykimi në Hagë – rast për Serbinë të rishkruajë historinë

Në Kosovë, qeveria dhe partitë opozitare janë askund rreth procesit të gjykimit të ish drejtuesve të UÇK-së në Hagë. Për këtë gjykim, qeveria e Kosovës, bashkë me diplomacinë, duhet të angazhojë lobistë në Kongresin Amerikan dhe në vendet europiane si strategji për të ndryshuar pikëpamjet e shtrembëruara që mund të ekzistojnë ndaj luftës së Kosovës. Në të vërtetë, në Hagë nuk po gjykohen vetëm katër individë, por po i jepet Serbisë një rast i volitshëm që ta rishkruajë historinë sipas dëshirës serbe. Përçarjet ndërshqiptare në Kosovë po vazhdojnë dhe janë bërë të pandalshme. Një copëtim i tillë do të ketë ndikim në zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar në Ohër. Ka shumë pak gjasa që, në një gjendje të tillë të brendshme, politika kosovare të bëjë më shumë për ish drejtuesit e luftës. Serbia, me një politikë të ashpër, ka arritur ta izolojë Kosovën, duke ia mbyllur dyert Prishtinës në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Në veri të Kosovës nuk pritet qetësi, pavarësisht zgjedhjeve që u mbajtën atje. Vetëm një plan afatgjatë në kuadër të bisedimeve aktuale serbo-kosovare do të mund të siguronte paqe në veri. Asociacioni i Komunave Serbe (AKS) shihet si një opsion, por dallimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit janë nëse duhet të ketë apo jo kompetenca qeverisëse ky asociacion. Pa këtë njësi brenda Kosovës, serbët e Kosovës dhe Beogradi nuk pranojnë të bëjnë diçka pozitive dhe aq më pak ta respektojnë sovranitetin e Kosovës. Në përfundim, serbët në Kosovë nuk dëshirojnë të jenë pjesë e Prishtinës dhe kjo nënkupton se ndarja dhe bashkimi me Serbinë është opsion i vetëm për të siguruar një rend në mes dy shteteve. Dihet se plane të ngjashme janë në kundërshtim me të gjitha normat, zotimet e qeverisë në Prishtinë dhe të bashkësisë ndërkombëtare, por as SHBA-ja, as BE-ja dhe as Kosova nuk mund të bëjnë më shumë rreth refuzimit të serbëve që të jetojnë bashkë me shqiptarët e Kosovës. Beogradit i është dhënë një rol dominues në Ballkan dhe tash ky status shfrytëzohet mjaft mirë nga serbët. Angazhimi i politikanëve shqiptarë në Ballkan për një pozicion më të mirë ka ngecur dhe nuk po gjendet asnjë formulë se si të dilet nga kjo situatë e vetëbllokadës.

Dobësimi i PD-së dhe fitorja e PS-së

Përderisa zgjedhjet në veri, debati fetar dhe gjykimet në Hagë po i japin formë politikës në Kosovë, në Shqipëri ka një rënie të mendimit politik për ta çuar përpara strategjinë e shqiptarëve në këtë shekull. Në Shqipëri, që nga viti 1996/97, kur Sali Berisha nisi të shkojë së mbrapshti me amerikanët dhe kur u cilësua si politikan që e dëmton demokracinë, në atë vend nuk ka qetësi. Ai dhe disa të tjerë vazhdojnë të mbeten si persona që janë të padëshirueshëm për SHBA-në. Korrupsioni dhe krimi janë shqetësimet kryesore të SHBA-së dhe BE-së për Shqipërinë, por shumë pak vërejtje janë lëshuar për qeverinë e kryeministrit Edi Rama, saqë PS-ja ka një përparësi jo vetëm brenda vendit në zgjedhjet lokale, por gëzon një respekt edhe jashtë, duke i dhënë PS-së mbështetje të madhe në të gjitha nismat. Gjasat që Berisha dhe PD-ja të kthehen në një parti kryesore në Shqipëri janë të vogla. Gjendja momentale shkon në favor të PS-së dhe Ramës, i cili pritet ta fitojë shumicën e komunave në Shqipëri. PD-ja do të vazhdojë të funksionojë e copëtuar dhe pa shenja se do të vijë së shpejti në pushtet përderisa drejtuesit e dy krahëve të vetëdijesohen se lufta e brendshme për marrjen e partisë shkon në dobi të Ramës dhe PS-së. Se kur do të ndodhë ky vetëdijesim nuk dihet, por një gjë është e sigurt – PD-ja është dobësuar dhe me Berishën në publik vështirë se do të bëhet një parti e fortë. Edhe vulat e gjykatës në dorë të Alibeajt gjithashtu nuk bëjnë punë. Sa i përket qëndrimit amerikan dhe europian, kjo nuk diskutohet se janë me PS-në dhe e mbajnë anën e Ramës, pavarësisht skandalit të fundit me ish agjentin e FBI-së dhe me aferën e inceneratorëve.

BDI në oda burrash me këngë folklorike dhe sharki

Në anën tjetër mungesa e një bashkërendimi brendashqiptar rreth largimit të 20-përqindëshit nga kushtetuta maqedonase është për t’u habitur. BDI-ja ka një klasë drejtuesish që flasin shumë për të drejta dhe suksese në oda burrash të përcjella me këngë folklorike dhe sharki, por kur është çështja të marrin nisma konkrete në kuvendin republikan, deklarojnë diçka tjetër e nuk dëshirojnë të marrin përgjegjësi, pasi janë tepër konformistë. Partitë politike shqiptare nuk kanë një plan për 20-përqindëshin dhe asnjë shpjegim të mirë para faktorit ndërkombëtar dhe atij të brendshëm se shqiptarët nuk janë kundër ndryshimeve kushtetuese, por në kuadër të hapjes së kushtetutës duhet të bëhen ndryshimet e heqjes së përqindjes. Në Maqedoni të Veriut, ku mendohet se do të arrihet një pajtim për t’i futur bullgarët në kushtetutë, opozita maqedonase është shprehur kundër përpjekjeve të qeverisë në Shkup. Partitë në qeveri, BDI dhe ASH, nuk kanë qëndrim të njëjtë rreth seriozitetit të përqindjes. Si duket, të dyja partitë, njëra PËR dhe tjera KUNDËR, do të përfundojnë vetëm me një debat që duhet të fillojë nga anëtarët e propozuar të partive politike. Alternativa dhe Lëvizja Besa janë PËR, por pa ndonjë deklaratë nëse do të taktizojnë rreth heqjes së përqindjes. Në përgjithësi, të gjitha partitë politike shqiptare janë që bullgarët të bëhen pjesë e kushtetutës së Maqedonisë së Veriut dhe janë shprehur se do t’i votojnë ndryshimet kushtetuese. Por, këtu duhet të jemi realistë, se një marrëveshje brendashqiptare vështirë se do të ketë, pasi partitë më tepër janë të interesuara të ruajnë status quo-në sesa të trazojnë ujëra që do t’ju nxjerrin shumë punë dhe me humbje të pozitave në qeveri. Ndryshimet e mundshme në kushtetutë si paketë do të konsideroheshin si një lëvizje e madhe në epokën e ndryshimeve gjeopolitike në Europë dhe në botë. Dhe, kjo marrëveshje ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve do të ishte një hap i rëndësishëm për pajtimin ndërtenik dhe ndërfetar. Por, për ta marrë këtë nismë, klasa politike duhet të dalë nga ëndrra e shekullit të 19-të dhe 20-të të shtetit dhe kombit dhe të përballet me realitetin. Në këtë kontekst, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duhet të punojnë në konsolidimin e unifikimit të kërkesave dhe jo në copëtimin e mëtutjeshëm. Nuk besohet se shqiptarët do të kenë një konsensus për kërkesat e tyre gjatë ndryshimeve kushtetuese. Nëse 20-përqindëshi do të qëndrojë me vite, rasti do të shkojnë në llogari të keqe të karrierës së kryetarëve të partive në qeveri, të BDI-së dhe ASH-së, dhe shumë politikanëve të tjerë që flasin ndryshe para ekraneve televizive, kurse punojnë për faktorizmim e kombeve të tjera. Nuk ka më keq nëse një komb ose grup etnik nuk ka drejtues fisnik që janë në shërbim të popullit që i ka votuar. Disa analistë thonë se klasa politike aktuale është një ndër më të këqijat që kanë ndodhur pas viteve të ‘90-ta të shekullit 20-të. E vetmja parti që ka punuar historikisht në dëm të shqiptarëve para ’90-tës ka qenë Partia e Punës e Shqipërisë (PPSH). Që të mos krahasohen këta të sotmit me PPSH-në dhe ish liderin komunist diktatorin Enver Hoxha, patjetër duhet të ndryshojnë. Përndryshe historia do t’i identifikojë si drejtues që i shesin lehtë interesat kombëtare. Në fund e keqja është kur të ashtuquajturat institute dhe media, që financohen nga paratë publike, vazhdojnë të promovojnë “patriotizmin” e liderëve të rremë në hapësirën shqiptare dhe me vetëdije bëhen pjesë e klaneve dhe e propagandës. Megjithatë, të presim nëse të gjitha këto ngjarje do të sjellin diçka pozitive për shqiptarin në Ballkan, i cili si duket ka mbetur pa vatan dhe udhëheqës. /revistashenja