Bonucci rikthehet në Serie A

Po rikthehet aty ku mori hapat e parë të karrierës, dhe ku u zhvillua si futbollist, por me një fanellë të re.

Leonardo Bonucci dhe Roma kanë arritur akordin për transferimin e lojtarit në kryeqytetin italian.

Ish-mbrojtësi i Juventusit ka arritur akordin me kryeqytetasit, teksa do të mbyllë kështu aventurën me Union Berlin, skuadër me të cilën u bashkua gjatë verës.

Bonucci do të zbarkojë në Romë me parametra zero dhe do të firmosë një kontratë deri në fund të sezonit me një pagë që nuk do të kalojë 2.5 milionë euro bruto.

Situata e vështirë në repartin e prapavijës, dëmtimet e shumta dhe të shpeshta bënë që Roma të interesohej për 36-vjeçarin dhe tashmë gjithçka ka marrë formën e duhur, teksa ky transferim ka marrë edhe konfirmimin e trajnerit Jose Mourinho.

Roma ka vuajtur mungesën e elementëve të rëndësishëm si Kumbulla, ndërsa i fundit ishte Smalling, por pa harruar edhe Ndicka, që do të largohet gjatë muajit janar për Kupën e Kombeve të Afrikës, të gjitha këto krijuan rrugën e duhur për të bërë realitet rikthimin e 36-vjeçarit.