Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell pas takimit në Bruksel me Kurtin e Vuçiqin ka deklaruar se marrëveshje për normalizimin e raporteve do të ishte në të mirë të dy popujve në Kosovë e Serbi.
“Të dy liderët kanë treguar sjellje të përgjegjshme. Palët kanë shprehur gatishmërinë e tyre për sa i përket zbatimit të kësaj marrëveshje. Negociata të mëtejme nevojiten për të gjetur modalitetet e zbatimit të marrëveshjes”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan sot në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Paraprakisht, dy udhëheqësit u takuan veç e veç me zyrtarët evropianë.
Blloku evropian e konsideron takimin e sotëm mes tyre – të gjashtin me radhë – si më të rëndësishmin.
Propozimi, i cili u është dorëzuar atyre qysh në fund të verës, përkrahet edhe nga Shtetet e Bashkuara.
Propozimi evropian nuk e përmend në mënyrë specifike Asociacionin, por përfshin zotimin e të dyja palëve për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, e ku bën pjesë edhe ajo për Asociacionin.








