Britania e Madhe kërkon zbardhjen e fatit të gazetarit saudit

Sekretari i Jashtëm britanik Jeremy Hunt i bëri thirrje qeverisë saudite të “bashkëpunojë plotësisht” me hetuesit turq lidhur me zhdukjen e gazetarit Jamal Khashoggi, raporton Anadolu.

Hunt foli me Ministrin e Jashtëm Saudit Al-Jubeir dhe “theksoi se nëse raportet e medias nga fundjava rreth çështjes së Khashoggi do të vërtetohen, kjo do të ishte jashtëzakonisht shqetësuese dhe Britania e Madhe do ta trajtojë këtë incident shumë seriozisht.

“Sekretari i Jashtëm sot gjithashtu u takua me ambasadorin saudit në Mbretërinë e Bashkuar për të përsëritur nevojën për përgjigje urgjente”, thuhet në deklaratë.

Hunt më parë tha se ai “sapo ka takuar ambasadorin saudit për të kërkuar përgjigje urgjente” mbi gazetarin.

“Dhuna ndaj gazetarëve në mbarë botën po rritet dhe është një kërcënim serioz për lirinë e shprehjes”, tha ai.

Të hënën, qeveria britanike tha se akuzat për zhdukjen e gazetarit Washington Post janë “jashtëzakonisht serioze”.

Jamal Khashoggi, gazetar dhe kolumnist i rregullt për Washington Post, është zhdukur që kur ai hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor.

Policia turke që hetoi rastin kishte thënë në një deklaratë të shtunën se 15 Sauditë, duke përfshirë disa zyrtarë, arritën në Stamboll në dy aeroplanë dhe hynë në konsullatë ndërsa Khashoggi ishte brenda.

Zyra kryesore e prokurorisë publike në Stamboll filloi një hetim në ditën e incidentit, ndërsa konsullata gjithashtu tha në Twitter se po punonte në koordinim me autoritetet turke.

Turqia të hënën përcolli shpresën e “bashkëpunimit të plotë” nga Arabia Saudite në kërkim të gazetarit të humbur saudit.

Arabia Saudite të martën ftoi ekspertë turq dhe zyrtarë relevantë për të vizituar konsullatën e Stambollit.

Sipas burimeve diplomatike, një njoftim diplomatik iu dërgua Ministrisë së Jashtme turke duke u ftuar zyrtarëve turq të vizitonin Konsullatën Saudite, ku Khashoggi u pa për herë të fundit duke hyrë. /MESAZHI/