Bullgari – Hakerë rusë bllokojnë faqet e internetit të qeverisë

Hakerët rusë paralizuan një sërë faqesh interneti të qeverisë bullgare, në një sulm kibernetik në shkallë të gjerë, tha një prokuror.

Sipas burimeve zyrtare, sulmi nënkuptonte se faqet e internetit të presidentit, qeverisë, ministrive kryesore dhe Gjykatës Kushtetuese në Bullgari u bënë të paarritshme ose ishin në gjendje të funksiononin ngadalë ose të mos funksiononin fare.

”Sulmi i hakerëve erdhi nga territori i Federatës Ruse”, tha kreu i agjencisë bullgare të hetimit, Borislav Sarafov.

“Ky është një sulm ndaj shtetit bullgar”, tha Prokurori i Përgjithshëm, Ivan Ghev, i cili e përshkroi atë si një problem serioz.

”Si pjesë e familjes evropiane, Bullgaria mbron vlerat evropiane”, tha ai duke shtuar se ”është normale që kjo të ketë edhe pasoja”.

Bullgaria po i ofron Ukrainës mbështetje humanitare, ndërsa Rusia vazhdon të bombardojë vendin.

Bullgaria po pranon gjithashtu ukrainasit që po ikin nga lufta.

”Sulmi kibernetik ndaj institucioneve bullgare nuk preku asnjë përmbajtje apo të dhëna personale”, tha Ministria bullgare e Çështjeve Digjitale duke shtuar se sulmet ishin ndalur. /atsh