Çaj apo kafe? Ja çfarë të konsumoni për të shtuar mirëqenien

Kafeja dhe çaji janë ndoshta pijet më të njohura në botë. Duke filluar me këtë të fundit, një studim i madh që shqyrtoi rreth 1.3 milion pjesëmarrës tregoi se konsumi i moderuar i çajit (1.5 deri në 2 gota në ditë) shoqërohet me ulje të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet dhe me ulje të vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceri.

Një studim tjetër nga viti 2025 raportoi se konsumi i çajit të zi shoqërohet me një rrezik të reduktuar të sëmundjeve koronare të zemrës. Këto përfitime mbrojtëse nuk rriten nëse pimë më shumë se 2 gota në ditë, me fjalë të tjera, mos prisni të pini 10 gota çaj çdo ditë dhe të jetoni përgjithmonë…

Kafeja, nga ana tjetër, është e pasur me antioksidantë, të cilët ndihmojnë në neutralizimin e radikaleve të lira të dëmshme që shkaktojnë kancer në trup. Duke zvogëluar stresin oksidativ, këta antioksidantë ngadalësojnë plakjen e qelizave dhe zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve kronike. Studimet tregojnë se ata që pinë kafe kanë një rrezik më të ulët për të zhvilluar sëmundje neurodegjenerative, të tilla si Alzheimeri dhe Parkinson.

Një studim që shqyrtoi 201 meta-analiza arriti në përfundimin se pirja e 3 deri në 4 filxhanëve kafe në ditë shoqërohej me një rrezik afërsisht 17% më të ulët të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet dhe një rrezik 19% më të ulët të vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare. Konsumi i moderuar (2 deri në 4 filxhanë në ditë) shoqërohej me ulje të vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe një kalim më të ngadaltë nga prediabeti në diabet. Një përmbledhje e kohëve të fundit pohon se pirja e deri në 3 filxhanëve kafe në ditë mund ta zgjasë jetën me rreth dy vjet.

Të dyja pijet shoqërohen me rezultate pozitive shëndetësore në fusha të ndryshme, por njerëzit me refluks, takikardi, çrregullime paniku ose hipertension të kontrolluar dobët mund ta tolerojnë çajin më mirë sesa kafenë.

Në fund të fundit, zgjedhja më e mirë varet nga individi, por disa studime sugjerojnë se një kombinim i të dyjave mund të ofrojë mbrojtje më të gjerë kundër sëmundjeve të ndryshme. Sidoqoftë, çelësi është, si gjithmonë, një: moderimi!