Cavusoglu flet për trajtimin e ujgurëve gjatë vizitës në Kinë

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, ka komunikuar shqetësimet e Ankarasë lidhur me trajtimin e minoritetit mysliman ujgur, gjatë takimit që ka pasur në Pekin me homologun e tij kinez, Wang Yi.

“Ne shprehëm pikëpamjet, pritshmëritë dhe ndjeshmërinë tonë në lidhje me çështjet e agjendës tonë, veçanërisht për turqit ujgurë”, tha Cavusoglu pas takimit të 12 janarit, ku tha se palët kanë biseduar edhe për bashkëpunimin ekonomik.

Qeveria kineze është akuzuar se ka ngritur një rrjet të kampeve të ndalimit, ku po mban mbi një milion ujgurë dhe grupe të tjera etnike myslimane, në rajonin veriperëndimor Ksinjiang.

Shtetet e Bashkuara dhe shumë grupe të të drejtave të njeriut kanë thënë se Pekini po kryen gjenocid ndaj ujgurëve. Kina mohon se kryen abuzime në Ksinjiang dhe thotë se po “riedukon” ujgurët me qëllim që të parandalojë islamin radikal dhe terrorizmin.