Çavusoglu: Heqja e pengesës për eksportet e grurit nga Ukraina është me rëndësi jetike

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, tha se heqja e pengesës për eksportet e grurit nga portet e Ukrainës është me rëndësi jetike për vendet më pak të zhvilluara.

Çavusoglu foli në konferencën e përbashkët për shtyp të mbajtur në Pallatin Czernin në Pragë, kryeqyteti i Republikës Çeke, me ministrin e Jashtëm çek Jan Lipavsky, pas takimeve kokë më kokë dhe ndërmjet delegacioneve.

I pyetur për zhvillimet në transportin e drithit ukrainas në tregjet e huaja, Çavusoglu tha se gjatë takimit me ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov në kryeqytetin Ankara, u diskutua për çështjen e ringjalljes së negociatave për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë, e cila vazhdon që nga 24 shkurti, dhe heqjen e pengesave për eksportin e drithit.

“Ne u thamë atyre (për eksportet e grurit) se plani i Kombeve të Bashkuara (OKB) është plani më i saktë dhe detajet e kësaj duhet të negociohen mes palëve. Për këtë arsye, ne thamë se jemi të gatshëm të presim takimin katërpalësh OKB-Turqi-Ukrainë dhe Rusi në periudhën e ardhshme. Dhe ky ishte edhe propozimi nga OKB-ja”, tha shefi i diplomacisë turke.

Ministri i Punëve të Jashtme, duke theksuar se heqja e pengesës së këtij eksporti është me rëndësi jetike për vendet më pak të zhvilluara, vijoi me fjalët: “Ne i kemi përcjellë mesazhet tona shumë qartë. Tani presim një kthim nga Rusia. Si për takimin ashtu edhe për detaje të tjera. Ne do të vazhdojmë të fokusohemi në këtë çështje në periudhën e ardhshme.” /trt