Çështja e dinarit, sot në Bruksel takohen Bislimi e Petkoviq

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, pritet të takohen sot në Bruksel.

Javën që shkoi Bashkimi Evropian bëri të ditur se temë diskutimi në këtë takim do të jetë Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me dinarin serb.

Për takimin ka folur të premten edhe zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano.

Ai në një konferencë për media tha se emisari special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ka ftuar kryenegociatorët e Kosovës e Serbisë në Bruksel, për të diskutuar për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, si dhe për vazhduar diskutimet për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit.

“Do të ketë disa çështje në agjendën e ardhshme, të martën e ardhshme dhe natyrisht, në përgjithësi implementimi i së ashtuquajturës marrëveshje e Ohrit është çështja më e rëndësishme, natyrisht aspektet individuale të kësaj çështjeje do të preket po ashtu nga palët dhe nga facilituesi (BE)”, ka thënë Stano.

Ndryshe, prej 1 shkurtit, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka nisur të zbatojë një rregullore të re, e cila përcakton që euroja është valuta e vetme në përdorim për kryerje të pagesave me para të gatshme.