Çka kemi nënkuptuar me agjërim…?

Miq, përgjatë tërë muajit të Ramazanit, jemi munduar që në kohë të Ifarit të sjellim nga një kuptim rreth agjërimit. Kjo, pasi që agjërimi është prej adhurimeve që ka efekte tredimensionale.

Efekti i parë: Përmirësimi i raportit mes njeriut dhe Zotit.

Pra, efekti kryesorë dhe ndikimi kryesorë i agjërimit është përmirësimi i raportit mes njeriut dhe Zotit të tij duke u përafruar më afër Tij, të udhëtosh drejt Zotit tënd me vepra të mira, të dëshmosh dashurinë ndaj Zotit tënd, të mposhtësh unin tënd për hir të Allahut xh.sh, të dëshmosh bindjen tënde ndaj Zotit xh.sh, të hapërosh drejt devotshmërisë së Zotit xh.sh, të hapërosh drejt kënaqësisë së Zotit xh.sh, të hapërosh drejt Xhennetit, të nxitosh drejt faljes dhe mëshirës së Zotit xh.sh, të jesh falënderues ndaj Allahut xh.sh për mirësinë e shëndetit tënd, të listohesh si kandidat potencial për të merituar faljen e Allahut xh.sh, të jesh potencialisht i denjë për të qenë prej banorëve të Xhennetit, dhe të jesh i denjë për të fituar kënaqësinë e Allahut xh.sh.

Efekti i dytë: Përmirësimi i raportit ndërnjerëzorë

Pra, përmirësimi i raporteve në mes njerëzve duke dal prej vetvetes dhe duke u tjetërsuar në shërbim të tjerëve, të dalësh përtej sferës tënde njerëzore duke u solidarizuar me të tjerët, të dëshmosh përkushtimin tënd ndaj shoqërisë njerëzore, të bashkëndjesh me familjet e uritura dhe skamnore.

Efekti i tretë: Përmirësimi i raportit me vetveten e tij

Pra njeriu përmes agjërimit arrin që të përmirësojë raportin mes vetvetes së tij. Kjo bëhet duke bërë ekuilibrimin mes anës shpirtërore dhe asaj fizike, të triumfosh mbi vetveten, të dalësh jashtë vetvetes tënde, të kesh kontroll mbi vetveten tënde, t’i japësh përparësi anës shpirtërore më shumë sesa anës fizike, të pastrosh shpirtin tënd para trupit tënd, të jetosh për shpirtin tënd para trupit tënd, të mbash ekuilibrim dhe balancim në mes të anës shpirtërore dhe fizike.

Miq, këto janë vetëm disa nga mësimet dhe kuptimet e shumta që mund të nxjerrim nga agjërimi, në veçanti, dhe nga të gjitha adhurimet tjera që bëhen për Allahun xh.sh. Dhe, krejt në fund, nuk na mbetët gjë tjetër veçse të shpresojmë tek Allahu xh.sh që të kemi arritur të realizojmë praktikisht këto mësime dhe urtësi. E në çastet e fundit të këtij muaji të begatë të jemi prej atyre që do të thirren me faljen, mëshirën, kënaqësinë dhe devotshmërinë e Allahut xh.sh.

Allahu xh.sh, na bëftë prej të falurve, prej të mëshiruarve, prej agjërimpranuarve, prej të devotshmëve, prej të ftuarve nga porta er-Rejan, dhe prej atyre që janë të kënaqur me Zotin xh.sh e që edhe Zoti xh.sh është i kënaqur prej tyre…

Le të lutemi dhe le të shpresojmë që nesër me të vërtetë të jemi të denjë dhe meritorë që të festojmë festën e Fitër Bajramit.

Nga: Artan Musliu