Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ç’kanë rrugët me qeverinë?

Ç’kanë rrugët me qeverinë?

Kur asfalti i propagandës përplaset me realitetin dhe zullumet i faturohen natyrës…

Shqipëria po dëshmon një fenomen sa të vjetër aq edhe tragjikomik. Rrugët tona paguhen me flori dhe inaugurohen me fishekzjarrë elektoralë. Megjithatë, ato duket se kanë një alergji kronike ndaj qeverisjes.

S’ka rëndësi nëse jemi në veri apo në jug. Unaza 1.3 milionë euroshe e Burrelit, shembet pa u tharë mirë boja. Aksi strategjik Librazhd-Pogradec merr arratinë drejt shtratit të lumit. Sapo fiken dritat e propagandës, asfalti hapet si gojë e uritur.

Ai kërkon llogari për cilësinë e dobët dhe mungesën e standardeve. Qëndrimi i ARRSH-së është i thatë dhe thjesht sa “për të larë gojën”. Institucionet ia faturojnë gjithçka natyrës. Kjo na kujton pashmangshëm kohën e Sali Berishës.

Atëherë papërgjegjshmëria vishej me petkun e fenomeneve mbinatyrore. Zullumet e njerëzve dhe vjedhjet në tendera maskoheshin pas “fenomeneve ekstreme të motit”. Për përmbytjet e Shkodrës, doktori fajësonte “Hënën Blu”.

Sipas tij, kishte pasur reshje apokaliptike që ndodhnin një herë në shekull. Ndërkohë, shkodranët përmbyteshin çdo vit pa asnjë lidhje me ciklet hënore. Sot, argumenti i “reshjeve të jashtëzakonshme” rrëzohet lehtësisht.

Shkodra është qarku ku historikisht bien më shumë reshje. Këtë dimër ajo nuk ka pasur probleme madhore. Kjo vërteton se shiu në pjesën tjetër të vendit nuk ka qenë jashtë normave. Është thjesht një gënjeshtër për të mbuluar ndërtimet e dobëta.

Ngjarjet e fundit tregojnë se projektet bëhen pa studime gjeologjike serioze. Shkaqet reale fshihen pas tabelave të fryra të reshjeve. Kontrasti bëhet edhe më i dhimbshëm kur shikon kostot marramendëse të ndërtimit.

Në Shqipëri, një kilometër rrugë kushton disa herë më shtrenjtë se në vendet e rajonit apo në Bashkimin Evropian. Ndërsa në vendet fqinje autostradat ndërtohen me 4 deri në 8 milionë euro për kilometër, te ne shifrat fluturojnë në 20 apo 25 milionë euro.

Ky shtrenjtim absurd nuk përkthehet në cilësi, por në xhepat e mbushura të pushtetarëve dhe biznesmenëve që fitojnë tenderat. Paratë që duhet të shkonin për drenazhimin, shtresa mbrojtëse dhe gjeoteknikë, humbasin në rrugët e korrupsionit.

Rezultati është ky që shohim: rrugë të shtrenjta që rezultojnë si rrugë prej kartoni. Ironia therëse në këtë mes, është se Edi Rama dhe Belinda Balluku nuk kanë kundër vetëm SPAK-un. Ata po përballen me një kundërshtar edhe më kokëfortë: vetë rrugët e lëna rrugëve.

Projektet e “Rilindjes”, po demaskohen në momentin më të papërshtatshëm nga veta forcat e natyrës dhe puna “shkel e shko”. Asfalti po thotë atë që propaganda tenton që ta heshtë. Ndërsa qeveria flet për “Shqipërinë 2030”, rrugët e tyre nuk po arrijnë dot as javën e dytë pas inaugurimit.

Çarjet në Dardhë dhe gërryerja e pistës së Formula 1 në Elbasan, janë dëshmitarët më të qartë të një dështimi që nuk fshihet dot as me shpjegime absurde. Në fund të ditës, kjo situatë nuk duket se e sikletos personalisht Edi Ramën.

Ai mund të udhëtojë komod me helikopterët e ushtrisë, duke i parë gropat dhe rrëshqitjet nga lartësia e arrogancës shtetërore. Por poshtë tij, qindra mijëra qytetarë dhe biznese po vuajnë një kalvar të gjatë.

Shoferët mbeten të bllokuar në rrugë alternative të pasigurta. Eksportuesit humbasin kontratat për shkak të vonesave. Ndërsa kryeministri fluturon mbi re, shqiptarët mbeten të zhytur në baltën e rrugëve që “i mori lumi”, duke e paguar me taksat e tyre dështimin e radhës të një propagande që po shembet bashkë me asfaltin. /tesheshi