Dallimi mes këshilluesit, thirrësit, dijetarit dhe edukatorit

Hoxhë Halil Avdulli

Në botën e fesë dhe thirrjes islame, shpesh njerëzit ngatërrojnë mes këtyre roleve, nuk bëjnë dallimin mes këshilluesit, dijetarit, edukatorit, edhe pse secili prej tyre ka një rol të veçantë, një nivel të ndryshëm shkencor dhe nuk është e drejtë t’i jepet secilit vendi i tjetrit pa kriter.

1. Këshilluesi (vaiz)

Është ai që di të ndikojë në njerëz me fjalë të buta, ligjëratë prekëse dhe këshilla që i zbusin zemrat dhe i kujtojnë njerëzit për botën tjetër.

Ka aftësi të mirë shprehjeje, zë ndikues, përdorimi i tregimeve dhe mësimeve, njohuri të përgjithshme nga Kurani dhe Hadithi.

Mund të mos jetë jurist i thelluar apo dijetar hulumtues, i mjafton aq dije sa shërben për këshillim dhe predikim.

2. Thirrësi (Da’ia)

Është më gjithëpërfshirës se këshilluesi. Thirrësi mbart një projekt ideor, edukativ apo shoqëror dhe di të komunikojë në mënyrë moderne.

Ka dije fetare të përgjithshme, kuptim i realitetit, aftësi mediatike, mundësi për të komunikuar me kategori të ndryshme njerëzish.

3. Dijetari

Është ai që është thelluar në dijet islame dhe ka zotëruar bazat e jurisprudencës, hadithit, teologjisë, tefsirit dhe rregullave të ixhtihadit (hulumtimit juridik).

Referencat e tij janë librat e trashëguar nga tradita islame, dije të strukturuar, studim të gjatë dhe metodik, avancim gradual në kërkimin shkencor.

Jep fetva, është autoritet në rast mosmarrëveshjesh, dhe peshon opinionet sipas shkencës.

4. Edukatori

Është grada më e lartë, sepse bashkon dijen, thirrjen, edukimin moral dhe pastrimin shpirtëror.

Formon personalitete, mbjell vlera në zemrat e njerëzve, edukon shpirtrat dhe ndërton breza të rinj.

Jo çdo dijetar është edukator, e as çdo thirrës është i aftë për këtë rol, sepse ky pozicion kërkon pastërti zemre, sjellje të përmirësuar dhe ndjekje të saktë të metodës së Profetit (paqja qoftë mbi të).

Përmbledhje:

• Këshilluesi: Ndikon në zemra.

• Thirrësi: Flet me mendjet dhe i lidh njerëzit me realitetin.

• Dijetari: Rregullon çështjet me dije.

• Edukatori: Bashkon të gjitha dhe ndërton breza sipas metodës profetike.

Mos i ngatërro ata që dinë të flasin, ata që dinë të orientojnë, ata që kanë dije të thelluar dhe ata që edukojnë me sinqeritet — secili ka vendin e tij, dhe drejtësia është t’i japësh secilit vlerën që meriton.