Ballina Lajmet Kosovë Debati në Parlamentin Evropian: Mbështetje për Kosovën, vërejtje për bllokadat politike

Debati në Parlamentin Evropian: Mbështetje për Kosovën, vërejtje për bllokadat politike

Mbështetje e plotë për orientimin strategjik të Kosovës për integrim euroatlantik, mbështetje e veçantë edhe për lëshimet pak para hyrjes në fuqi të Ligjit për të huajt, por edhe shqetësim për kohën e humbur për shkak të paqartësive politike ishin porositë kryesore që u dëgjuan të martën në mëngjes në debatin për Kosovën në Komisionin e politikës së jashtme të Parlamentit Evropian.

Debati është zhvilluar mbi raportin e paraqitur nga Riho Terras, raportues për Kosovën. Ai ka folur për vizitën që ka zhvilluar Kosovë për të përgatitur këtë raport. Ka nënvizuar procesin e mirë zgjedhor, por është fokusuar edhe në bllokadën e cila ka penguar aq shumë reformat e nevojshme në Kosovë.

Duke folur për aspektet negative, raportuesi Terras në veçanti ka nënvizuar keqësimin e lirisë së mediave në Kosovë, mungesën e transparencës së pronësisë së mediave. Disa deputetë kanë kërkuar më shumë ndihmë për mediat e pavarura duke thënë se ato janë shtyllë e zhvillimit të një shoqërie demokratike.

Raportuesi Terras ndërkaq nuk ka lënë pa përmendur edhe sanksionet e BE-së ndaj Kosovës duke thënë se kanë lënë pasoja të rënda.

“Asnjë takim nuk ka kaluar pa u përmendur masat ndëshkuese ndaj Kosovës, këto janë relaksuar por duhet të ndërpriten menjëherë, sepse nuk kanë kuptim”, ka thënë ai duke shtuar se këto masa kanë goditur qytetarët, sektorin civil dhe shoqërinë e Kosovës në tërësi. Terras kërkoi nga pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë.

Gjatë debatit është thënë se Kosova ka shumë shembuj të mirë të demokracisë, mund të jetë mësim për të tjerët në rajon se si të zhvillohen zgjedhjet, por se elita politike duhet të tregojë më shumë përgjegjësi për të tejkaluar mospajtimet.

Shefi i delegacionit për Kosovën Davor Ivo Stier ka kërkuar që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat.

“Kosova para disa ditësh ka shënuar 18 vjetorin e pavarësisë. Ka ardhur koha që BE t’i jep Kosovës statusin e vendit kandidat”, ka thënë ky deputet kroat duke nënvizuar se, me kërkesë të vetë Serbisë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar se pavarësia e Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Po ashtu, ka thënë ai, Serbia përmes marrëveshjeve të dialogut është pajtuar që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Përderisa sfidat e Kosovës janë shumë jashtë saj, sfida kryesore është brenda saj. Kjo është pamundësia e politikanëve për të tejkaluar mospajtimet”, ka thënë ai.

Duke folur në emër të Komisionit Evropian, Jiri Plecity nga Drejtoria e Zgjerimit, ka thënë se blloku ishte optimist se Kosova më në fund do të ecte para pas formimit të Qeverisë së re.

“Ishim optimist pas formimit të shpejtë të qeverisë se Kosova do të hyjë në një stabilitet të gjatë politikë që do të mund të shpejtonte reformat. Por siç e dini zgjedhja e Presidentit është çështje në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese dhe ne po presim verdiktin”, ka thënë ai.

Ai është shprehur po ashtu se Komisioni Evropian është i gatshëm të përpilojë mendimin për statusin e kandidatit për Kosovën sapo të merr një mandat të tillë nga vendet anëtare.

Ndërkaq Përfaqësuesja e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) Anne Kempainen ka përshëndetur pajtimin për zbatimin e Ligjit për të huajt duke e quajtur si hap të parë drejt integrimit të institucioneve të mbështetura nga Serbia në struktura nën kornizën ligjore të Kosovës.

“Ne mbështesim integrimin e Kosovës në BE por edhe Kosova duhet të kryejë punën e saj në përmbushjen e kritereve” ka thënë ajo. Po ashtu ajo ka mirëpritur përshtatjen vullnetare të Kosovës me BE-në në politikën e jashtme. Posaçërisht ajo ka falënderuar ambasadorin e deritashëm në Kosovë Aivo Orav për kontributin e tij në Kosovë dhe në zbatimin e politikës së BE-së.

Në vet tekstin e raportit, kriza politike e vitit të shkuar, por edhe paqartësitë që u kthyen pas dështimit të zgjedhjes së Presidentit, janë porositë kryesore.

Në draftin e këtij raporti përshëndet formimi i Kuvendit dhe krijimi Qeverisë së re në Kosovë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, por shprehet në të njëjtën kohë edhe keqardhje për dështimin e Kuvendit për të zgjedhur një president të ri brenda afatit kushtetues, duke shtyrë në këtë mënyrë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Në tekstin e këtij drafti thuhet po ashtu se viti i kaluar është karakterizuar me paralizë politike për çka ai vit mund të konsiderohet i humbur për Kosovën. Në këtë pikë ky raport reflekton edhe raportin e Progresit për Kosovën të miratuar nga Komisioni Evropian në vjeshtën e vitit 2025.

Raporti i shkruar nga raportuesi Terras përshëndet heqjen graduale të masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës të cilat Parlamenti vazhdimisht i ka kritikuar.

Edhe në këtë tekst, siç ka bërë vazhdimisht Parlamenti Evropian, u është bërë ftesë pesë vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur akoma Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë për të hapur rrugë për progresin e Kosovës drejt integrimeve evropiane.

Ky tekst mbështet kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe për integrim në NATO. Këto qëllime vlerësohen si dëshmi e orientimit të palëkundur strategjik të Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.

Edhe këtë herë, në raport është shprehur mbështetje e plotë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe është bërë ftesë që ai të rezultojë me normalizimin e raporteve përmes njohjes së ndërsjellë.

Të martën, është zhvilluar debat edhe për raportin për Serbinë. Me përjashtim të partive të ekstremit të djathtë që kanë mbështetur Serbinë, të tjerët folës në këtë debat kanë kritikuar ashpër këtë shtet, duke kërkuar që BE-ja të mos vazhdojë ndihmën financiare për Serbinë e as avancimin e saj në procesin e integrimeve përderisa Beogradi të mos ndryshojë sjelljen e tij. Mes tjerash është kritikuar edhe dështimi për të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin terroristë në Banjskë të Zveçanit më 2023, kur është vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.