Deputetët e LVV-së kërkojnë sërish shkarkimin e bordit të KPM-së

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje edhe një herë kanë kërkuar shkarkimin e bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave. Teksa komentuan shfuqizimin e vendimit për pezullimin e kanaleve sportive të “Arena Sport”, ata thanë se bordi nuk ka kredibilitet për të vazhduar më shumë në udhëheqje. Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Media kanë pyetur bordin e KPM-së edhe për presionet. Të njëjtit kanë kërkuar hetim, meqë deklaruan se kanë pasur takime me “Devollët”.

Kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Valon Ramadani tha se ka pranuar letër nga Digitalb dhe Premier Liga, ku thuhet se “Art Motion” nuk ka të drejtë të transmetojë ligën angleze të futbollit.

“Unë kam pranuar disa email-a prej Digitalb, në këtë rast edhe prej Premier Ligës që mund t’i publikojë sot ose t’i ofrojë për KPM-në dhe deputetët dhe ata që kanë interes të shohin se çka kanë marrë mundin ata të shkruajnë, në këtë rast për mua është shumë me rëndësi se çfarë ka shkruar Premier Liga që të lidhet me të njëjtën qysh e ka edhe KPM. Kjo email ju ka dërguar edhe kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca por edhe mua si kryetar i këtij komisioni. Janë disa fleta, unë po shpresoj që këto kanë pasur mundësi që këto të diskutohen në fund pasi të kryhen këto diskutime tjera që kanë filluar në fillim të kësaj mbledhje. Një që e kam vërejtur në shkresën e Premier Ligës është që Art Motion nuk ka të drejtë të transmetojë Premier Ligën në Kosovë”, tha ai.

Shkresat e pranuara, Ramadani tha se kanë ardhur pas diskutimit që është bërë në mbledhjen e Komisionit për Mediat.

Nënkryetari i komisionit, Isak Shabani shprehi pakënaqësitë e tij me mos-informimin paraprak për shkresat që ka pranuar kryetari i komisionit.

“Unë menjëherë po shprehi pakënaqësinë me mënyrën e udhëheqjes së kësaj mbledhje, një ndër arsyet tregon që po vazhdon avazi i pa përgatitjes së mbledhjes paraprake. Apo paraprakisht të kemi materiale të cilat sot thotë ‘i disponoj disa emaila’ kryetari i komisionit, kurse ne anëtarët e komisionit nuk e kemi asnjë email dhe nuk është shpërndarë me anëtarët e komisionit. Kjo nënkupton, në moment që vjen diçka si kryetar i komisionit, kryetari i komisionit e ka obligim ta shpërndarë tek anëtarët e komisionit. Kështu që ne jemi të hendikepuar dhe nuk e dimë se çfarë shkruhet në ato emaila”,u shpreh ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Njazi Isaku lexoi vendimin e 3 tetorit dhe atë të 7 shkurtit për rikthimin e kanaleve të “Arena Sport”.

“Pse po e trajtojmë ne si komision mbikëqyrës i KPM-së, pse? Po dëgjojmë zëra se po preket pavarësia e juaj. A keni parë deri më tani që ne kemi trajtuar ndonjë vendim tuajin, asnjëherë nuk ka ndodhur deri më tani. Por kjo thirrje e jona ka qenë si pasojë e vendimit tuaj për shfuqizim të vendimit të parë ku ishte cenuar interesi nacional dhe siguria e përgjithshme. Nuk kemi shqyrtuar asnjë vendim tjetër, përveç këtij vendimi ku është cenuar interesi nacional dhe siguria e përgjithshme…Pyetja ime për Mehmetin, a na tregon se ku shkruan në vendimin e 3 tetorit se ka qenë vendim pezullues, ky është vendimi mundësisht me na tregu se kur ka qenë pezullues…Ky bord nuk ka kredibilitet për të vazhduar më shumë në udhëheqje me këtë bord të KPM-së. Shkarkim dhe vetëm shkarkim, shkarkimi i bën mirë KPM-së”,tha Isaku.

Në arsyetimin e tij, kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti tha se është vendosur masa proporcionale karshi shkeljes që i është bërë nga ana e operatorit të shpërndarjes.

“E dyta që nuk u përmend është se ky vendim hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit dhe mbetet në fuqi deri në një vendim tjetër të KPM-së. Pra, mbetet në fuqi deri kur KPM e sheh se ka një ndryshim të situatës, të rrethanave, të shkeljes e cila ka quar deri tek vendimi i parë. Dhe për sqarim të deputetëve, KPM me 6 shkurt ka bërë shfuqizim të vendimit të tij të parë, pra ka pezulluar vendimin e tij të parë. Fjala pezullim është një nga sanksionet të cilat Ligji për KPM-në i jep të drejt këtij organi që të vendos aty ku e sheh të nevojshme. Pra, Ligji dhe neni 30 tek sanksionet, KPM kur e sheh dhe gjykon në bazë të shkeljes mund të vendos një gjobë, jo më të vogël se një mijë euro dhe jo më të madhe se 100 mijë për një operator të licensuar”, u përgjigj Mehmeti.

Më pas ka reaguar deputeti Isaku, duke thënë se në vendim nuk përmendet “pezullimi”.

Kryetari i KPM-së theksoi se para shfuqizimit të vendimit u është garantuar që mesazhe të tilla politike në kanalet sportive nuk do të përsëriten. Këto shkresa, ai shtoi se i janë dërguar edhe ambasadave në Kosovë.

“Jemi ballafaquar me kërkesa, lutje nga vet operatorët e shpërndarjes që të rishqyrtohet vendimi jonë dhe kjo është bërë dy ose tri herë nga operatorët e shpërndarjes. Jemi ballafaquar me vendim të gjykatave, në fund jemi ballafaquar me kërkesa direkte të cilat ‘Arena Sport’ i ka dërguar tek neve me lutjen ‘aman rishqyrtojeni vendimin se po cenohet e drejta e një komuniteti të caktuar nga ngjarjet sportive’. Kemi mekanizma të rinj të cilët garantojnë se mesazhet e tilla politike në kanalet sportive kurrë më nuk do të përsëriten, jep siguri që në plotëni do të respektohen rregulloret e KPM-së. Kjo letër, e njëjta i është dërguar edhe ambasadave në Kosovë”, u shpreh ai.

Përfaqësuesit e Komisionit të Pavarur të Mediave janë pyetur nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nëse kanë pasur presion për këtë vendim. Të njëjtit janë shprehur se një gjë e tillë nuk ka ndodhur, por vetëm kërkesa për rishqyrtim.

Sipas deputetit të shumicës, Besim Muzaqi, KPM duhet të jetë e pavarur edhe nga ambasadat dhe shoqëria civile. Ai pyeti kryesuesin nëse janë takuar me “Devollët”.

Mehmeti: Unë i kam vizituar gati të gjitha televizionet të cilat janë të licensuara në Kosovë, me qëllim që t’i njoftojë me rregulloret e reja që po vijnë, me qëllim që t’i ftojë që të vijnë në diskutime edhe dëgjime publike që të ofrohen perspektivat e tyre. Me qëllim që të dëgjojnë hallet e industrisë të cilat ne i rregullojmë. Unë nuk i fshehi takimet e mia nga mediat të cilat i vizitojë dhe i rregulloj. Unë nuk jam që të fshihem prapa tavolinës aty dhe vetëm të shqiptojmë gjoba e sanksione, sepse jemi për ngritjen e cilësisë së mediave…. Nuk e di pse po e ngritni këtë çështje, unë i kam vizituar të gjitha mediat, duke përfshirë edhe Klan Kosovën”, u përgjigj ai.

Për këtë reagoi edhe anëtarja e KPM-së, Luljeta Aliu, e cila tha se duhet të ketë hetim nëse vërtetohet që ka pasur ndikim në vendime.

“Edhe unë do të doja ta di prej dy kolegëve të mi, të nderuarit kryetar edhe kryeshefit se më kë saktësisht janë takuar edhe çka kanë diskutuar. Për këtë arsye edhe kam kërkuar i nderuar kryetar që kur të bëhen takimet me palë të treta, të jemi edhe ne, dikush prej neve bordit dhe jo të jeni vetëm ju sepse kështu ndodhë pastaj. Unë nuk po them që ju keni bërë ndonjë shkelje, kjo duhet të vërtetohet. Mirëpo nëse ka pasur tentativa prej jashtë që ju të ndikoheni në vendimet në të cilat na keni përfshirë edhe neve, atëherë ju e meritoni me të vërtetë që të hetoheni”, deklaroi.

Më pas, deputeti Muzaqi i ka bërë thirrje prokurorisë që të hetojë këtë çështje.