Deri në 1 metër borë në fshatrat e Rugovës, qytetarët ankohen se disa rrugë janë të pakalueshme

Gjatë natës së mbrëmshme dhe mëngjesin e sotëm ka pasur reshje të dendura të borës në disa pjesë të Kosovës. Madje në Rugovë të Pejës siç bëjnë të ditur banorët trashësia e borës ka arritur deri në 1 metër.

Kështu bënë të ditur Besnik Lajçi, i cili ka thënë se në disa fshatra rrugët janë të pakalueshme.

“Në këtë moment është duke rënë borë në Rugovë. Bora nga nata e mbrëmshme nuk është ndalë. Bora po kalon mbi 1 metër! Ju lutem të keni kujdes gjatë udhëtimit. Disa fshatra thuajse janë të pa kalueshme nga bora ashtu siç jam unë”, shkroi Lajçi në rrjetin social Facebook.

Ndërkaq, zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova i tha Telegrafit se rruga kryesore për në Rugovë është e kalueshme.

“Rrugët në qytetin e Pejës janë të kalueshme. Përveç rrugës Pejë-Hajlë e cila nuk është e kalueshme. Po ashtu rruga kryesore për Rugovë është e kalueshme deri në fshatin Kuqishtë sa kemi informacione”, deklaroi ai.

Rugova tutje shtoi se nuk kanë informacion nëse në ndonjë fshat të Rugovës kanë mbetur banorët e izoluar për shkak të borës së madhe.

“Sa iu përket banorëve nuk kemi ndonjë informacion se kanë mbetur të izoluar në Rugovë. Banorët atje posedojnë telefona dhe munden ta telefonojnë emergjencën dhe policinë gjithashtu. Mirëpo ne deri në këto momente nuk kemi informacion. Rruga kryesore gjithashtu është e kalueshme”, tha Rugova.