Ballina Sport Distria Krasniqi, kampione e re e Evropës në xhudo

Distria Krasniqi, kampione e re e Evropës në xhudo

Distria Krasniqi është kampione e re e Evropës në xhudo, pas triumfit në kampionatin evropian, që ka nisur sot në Tbilisi të Gjeorgjisë. ,

Xhudistja më e ranguar në botë, ka triumfuar në kategorinë deri në 52 kilogramë, duke e mposhtur francezen, Amandine Buchard, për titullin e katërt evropian.
30-vjeçarja e realizoi herët hedhjen për “Yuko” dhe më pas kontrolloi luftën deri në fund.

Ajo ka fituar medaljen e artë në Evropë në vitin 2021, 2024 e 2025. Të argjendta ka fituar në vitet 2018 e 2023 dhe të bronzta në vitet 2020 e 2022.
Distria Krasniqi ka fituar medalje në 15 garat e fundit.

Kështu Kosova për vitin e 14-të rresht fiton medalje në kampionate kontinentale. Janë plot 26 medalje, dhjetë prej tyre të arta.

Kampionia olimpike, ishte e pa konkurrencë në Evropianin në Gjeorgji, duke mposhtur një nga një rivalet e saja, të cilat, i ka mundur edhe më parë, në garat e ndryshme, në vitet e fundit.

Garën e nisi në xhiron e dytë, duke e kaluar pa probleme çeken Tereza Bodnarova, ndaj të cilës dominoi plotësisht.

Në çerekfinale ajo e mposhti polaken Aleksandra Kaleta dhe në gjysmëfinale, në kategorinë deri në 52 kg, Distria mposhti me Yuko, Odette Giuffrida nga Italia.

Të premten garojnë Laura Fazliu në kategorinë deri 63 kilogramë si dhe Akil Gjakova e Dardan Cena në kategorinë deri 73 kilogramë.

Laura është bartësja e katërt në kategori dhe pretendente për medalje. Joanne van Lieshout e Holandës, Iva Oberan e Kroacisë dhe Manon Deketer e Francës janë më lartë në renditje se Laura.

Në kategorinë deri 73 kilogramë konkurrenca vlerësohet më e forta e mundshme. Si në asnjë kategori tjetër, janë plot 41 xhudistë.

Akili është bartësi i pestë dhe do të jetë në konkurrencë të fortë me francezin Joan Benjamin Gaba, Hidayet Heydarovin e Azerbajxhanit, Leonardo Valerianin e Italisë, Lasha Shavdatuashvilin e Gjeorgjisë dhe xhudistë të tjerë.