Ditët e jetës apo jeta e ditëve!

Artan Musliu

Ndoshta duken si e njëjta gjë por në fakt e tërë esenca është pikërisht tek kjo. Pra, a jetojmë ditët e jetës tonë apo jetën e ditëve tona…?

Ku qëndron dallimi…?

Nëse ne themi “ditët e jetës tonë”, atëherë duhet të dimë mirë se kjo çështje nuk na takon neve. Pra, ne nuk mund ta dijm sa ditë të jetë tonë kanë mbetur dhe se kur do të na vije fundi i këtyre ditëve. Kjo, pasi që një gjë e tillë është në dijen e Allahut xh.sh dhe është e drejtë sublime dhe eksplicite që i takon vetëm Atij.

Ndërsa, nëse themi që jemi duke jetuar jetën e ditëve tona atëherë është krejt në rregull. Dhe, në fakt, jo vetëm që është në rregull por ashtu edhe duhet vepruar. Pra, ne duhet të jetojmë jetën e ditëve tona dhe të mos brengosemi për ditët e jetës tonë.

Pra, me jetën e ditëve tona nënkuptojmë ditët që jetojmë. Andaj, ditët që meritojnë të regjistrohen si ditë të jetës tonë do duhej të ishin ditët e suksesit, të arritjeve, të lënies gjurmë pozitive, të kontributit tonë, të ndikimit dhe të ofrimit apo lënies së veprave të mira. Pra, ditët që kemi lënë gjurmë pozitive, në rrafshin individual apo edhe atë shoqërorë.

Pra, janë ditët kur ne me veprat tona jemi përafruar më afër Zotit xh.sh, më afër kënaqësisë së Tij, dhe më afër shpërblimeve të Tij.

Kështu, kurrë nuk duhet të brengosemi se sa kemi jetuar apo kemi për të jetuar por çdoherë duhet të brengosemi me mënyrën e jetesës…?

Prandaj, çdoherë është thënë se më e vështirë është të jetosh për hir të Allahut xh.sh sesa të vdesësh për hir të Allahut xh.sh. Kjo, ngase vdekja është moment ndërsa jeta është një mori momentesh.

Vetëm gjashtë vjet nga jeta e Saad bin Muadhit, në Islam, mjaftuan për të tronditur fronin e të Gjithëmëshirshmit pas vdekjes së tij.

Prandaj, le të brengosemi për formën dhe assesi për sasinë. Pra, Islami e njeh kualitetin dhe jo kuantitetin. Andaj, ne duhet të fokusohemi tek “si-ja” dhe jo tek “sa-ja”.

Çdoherë mendoni se si të zgjidhni një jetë të denjë për veten tuaj?

Si i krijoni vetes një fund të lumtur për të marrë jetën e përjetshme?

Këto kuptime më erdhën në mendje muaj më parë kur lexova një urtësi që thotë:
“Ju nuk mund t’i jepni jetës tuaj më shumë ditë, por mund t’i jepni ditëve tuaja më shumë jetë”.

Dhe më shfaqi para syve thënien e së vërtetës, i Lartësuar është Madhëria e Tij, kur thotë “A është ai që ka vdekur, e pastaj Ne e ngjallëm dhe i bëmë dritë me të cilën ecën mes njerëzve si ai që është në errësirë ​​nga e cila nuk do të dalë?!”.

O Zot, ringjalle fenë tënde me ne pasi na ke ringjallur me të.

Shoqëro atë që do te të shoqërojë…?

Për Zotin, duhet që të jesh i bindur se në varrin tënd nuk do te të shoqërojë askush përveç veprave tua. Andaj, bëjë kujdes dhe ruaj, shtojë veprat tua të mira ngase ato do te të ruajnë dhe do te të mbrojnë gjatë qëndrimit tënd në varr.

S’ka dyshim se shqetësimet e jetës janë të rënda dhe preokupimet e saj janë të shumta. Por, preokupimi dhe brenga jote kryesore duhet që të jetë: Si ta kënaqim Zotin dhe si të ndjekim rrugën e devotshmërisë së tij.

Kushdo që i drejtohet Zotit do ta mbrojë atë dhe ai që ia delegon punët e tij Zotit do t’i mjaftojë atij. E kush ia shet veten Zotit, Ai do ta blejë atë, lum ai që është i mbrojtur dhe i mjaftuar nga Zoti i tij.

Nga: Artan Musliu