DnV tregon për parregullsitë nëpër qendra të votimeve

Zyrtarë të Demokracisë në Veprim pak pas nisjes së procesit të zgjedhjeve në Kosovë kanë deklaruar se janë vërejtur disa parregullsi afër disa qendrave të votimit në Prishtinë, Gjilan e Prizren.

Dita e zgjedhjeve, 6 tetor, ka nisur me vonesa në hapjen e 2.6 për qind të vendvotimeve, ndërsa në një vendvotim në Prizren procesi i votimit nuk ka filluar ende për shkak të mungesës së një komisioneri.

Në anën tjetër, në disa qendra të votimit ende ka materiale me përmbajtje propaganduese.Kështu bëri të ditur drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, i cili në një konferencë për media tha se KQZ-ja është duke bërë punën e saj për zëvendësimin e komisionerit që mungon në vendvotimin që nuk ka nisur ende puna, e që është në qendrën “Ukshin Hoti” në Prizren.

“Sipas të dhënave nga tereni nga vëzhguesit e Demokracisë në Veprim ka pasur vonesa në hapjen e vendvotimeve me kohë në 2.6 të vendvotimeve që janë në Kosovë. Të gjitha këto vonesa kryesisht kanë qenë për shkak të vonesës së komisionerëve, vonesave në shpërndarjen e materialit, përjashtim Shtërpca dhe Graçanica, ku kemi pasur mungesë të vulave me kohë, e të cilat tani janë sjellë aty”, tha ai, raporton KP.

Ndonëse heshtja zgjedhore ka filluar 24 orë më parë, ai tha se në disa qendra të votimit ende ka materiale me përmbajtje propaganduese ë subjekteve politike, teksa shtoi se në 30 për qind të qendrave të votimit nuk është mundësuar qasje për personat me aftësi të kufizuara.

“Sot në 7 për qind të qendrave të Kosovës vërehen materiale propaganduese të subjekteve politike, të cilat nuk i kanë larguar nga afërsia e qendrave të votimit. Ne ju bëjmë thirre të gjithë menaxherëve të qendrave të dalin dhe t’i largojnë këto materiale propaganduese sepse mund të ndikojnë në vullnetin e qytetarëve. Komuna ku më së shumti kemi parë është Gjilani, Prishtina, komuna e Prizrenit e disa komuna me radhë…
Në 30 për qind të qendrave të votimit nuk është mundësuar qasje për personat me aftësi të kufizuara”, bëri të ditur ai.

Kryeziu tha se nga të gjithë komisionerët në nivel vendi ka 35 për qind pjesëmarrje të grave në komisione, e që sipas tij, është një lëvizje pozitive krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017-të kur kjo pjesëmarrje ishte 29 për qind.

Ai ftoi qytetarët që të dalin dhe të votojnë, për të shfrytëzuar të drejtën e tyre për tu bërë pjesë e vendimmarrjes.