Dorëzohet Guardiola: Nuk mund ta arrijmë Liverpoolin

Pep Guardiola ka thënë se është joreale të pritet që Manchester City do ta arrijë Liverpoolin në garën për titull.

Kampionët aktual të Premierligës janë mposhtur 3:2 nga Wolves në ndeshjen dramatike të xhiros së 19-të, duke mbetur 14 pikë pas Liverpool, me këta të fundit që kanë edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.

“Liverpool ka pasur një avantazh të madh për ca kohë. Nuk është reale të mendosh për garën për titullin e kampionit. Ju më keni bërë këtë pyetje njëqind herë tashmë dhe unë gjithmonë ju jap të njëjtën përgjigje”, ka deklaruar Guardiola pas humbjes, përcjell lajmi.net.

“Mbrojtja gjatë 80 minutave me dhjetë lojtarë kundër 11 është shumë e vështirë, kërkon shumë. Ne nuk mund ta mbronim rezultatin që patëm. Duhet të mendojmë për ndeshjen tjetër dhe si do të fitojmë”.

“Nuk është reale të flasim se a jemi në gjendje të kapim Liverpoolin. Në 48 orët e ardhshme ne kemi një sfidë të re”.

“Lojtarët e mi nuk pendohen për asgjë. Ata bën çmos për të mbrojtur rezultatin 2:0, por dështuan”.