Duda: Ukraina nuk duhet t’ia japë asnjë centimetër territor Rusisë

“Vetëm Ukraina mund të vendosë për fatin e vetë”, ka thënë presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, në një fjalim në parlamentin e Ukrainës, raporton BBC.

Duda ka thënë se po dëgjon disa propozime që Ukraina të dorëzohet para kërkesave të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Por, Duda i ka thënë deputetëve ukrainas se ato zëra nuk bën të dëgjohen dhe se dorëzimi i vetëm një centimetri territor ukrainas do të ishte goditje për gjithë botën perëndimore.

Duda po ashtu ka thënë se Polonia e përkrah plotësisht anëtarësimin e Ukrainës në Bashkim Evropian.

Ai është lideri i parë i huaj që ka mbajtur fjalim me prani fizike në parlamentin ukrainas që kur nisi pushtimi rus më 24 shkurt. /koha