E konfirmon Musk, Grok 3 do të jetë me burim të hapur brenda gjashtë muajve

Themeluesi i Tesla dhe SpaceX, Elon Musk, ka njoftuar se modeli më i fundit i inteligjencës artificiale i kompanisë së tij, Grok 3, do të bëhet me burim të hapur brenda gjashtë muajve të ardhshëm.

Musk më parë konfirmoi se Grok 2.5 është tashmë i disponueshëm publikisht së bashku me parametrat e tij, duke vazhduar strategjinë e kompanisë për të ofruar transparencë më të madhe në zhvillimin e inteligjencës artificiale.

Sipas themeluesit të xAI, ky veprim duhet t’u lejojë studiuesve, zhvilluesve dhe komunitetit të AI-së të analizojnë dhe përmirësojnë më tej modelet jashtë kompanisë, transmeton Telegrafi.

Grok 3 u zbulua në shkurt të këtij viti, dhe Musk theksoi në atë kohë se ai i tejkalon konkurrentët si OpenAI dhe DeepSeek në fushat e matematikës, shkencës dhe programimit.

Megjithatë, publikimi i modelit u shoqërua edhe me polemika, duke pasur parasysh se disa nga përgjigjet e tij tërhoqën kritika për përmbajtje të papërshtatshme.

Duke publikuar kodin me burim të hapur, Musk dëshiron të forcojë pozicionin e xAI si lider në inteligjencën artificiale “të hapur”.