Ballina Autorë Opinione Edi Rama është i mbaruar

Edi Rama është i mbaruar

Ergys Mërtiri

Për katër muaj me rradhë, ndërsa qytetarët qendronin në shesh duke kërkuar ndryshmin e klasës politike, laraskat e Edi Ramës tallnin dhe përqeshnin sakrificën e tyre. Ata thonin se protesta vdiq, se ajo është reduktuar në një grusht donkishotësh që duan ti imponohen gjithë shqiptarëve, se ajo nuk di çfarë kërkon, se ajo është bërë qesharake, se e ka kapur Saliu, etj. Përpjekja për ta karrikaturuar, përqeshur dhe tallur atë u ngjit deri në skenën e Protokallisë, me një skeç banal që i paraqiste protestuesit si njerëz me probleme mendore.
Në fakt, tallja është vetëm një mjet për ta shuajtur protestën, duke qenë se, Rama i pari dhe të tjerët pas tij, e kuptojnë fare mirë forcën e saj. Rezistenca e qytetarëve në shesh është padyshim një alarm i vazhdueshëm për qeverinë.
Në fakt, nuk është e vështirë të kuptohet se rënia e numrave në bulevard, për shkak të lodhjes së qytetarëve, nuk tregon se njerëzit ndryshuan mendim për qeverinë dhe politikën e vjetër Rama-Berisha. Revolta e brendshme e qytetarit vazhdon edhe kur ai nuk del në shesh. Madje, gjatë këtyre katër muajve, kjo revoltë është shtuar, duke parë brutalitetin policor ndaj të rinjve dhe të moshuarve rrotull parlamentit, çfarë sigurisht do prodhojë rishpërthime të vazhdueshme.
Kështu, vijimi i protestës për muaj me rradhë kreu një mision të rëndësishëm: mbajti gjallë ndjenjën e revoltës, për të pritur momentin kur ajo të rishpërthejë edhe më fort. Siç e kam thënë vazhdimisht, protesta mbajti ndezur prushin e reagimit qytetar, të gatshëm të rishpërthejë në çdo moment.
Pikërisht kjo po ndodh, sot. Gjithçka është pasojë e një qeverie që nuk reflekton, e që vazhdon me arrogancë në poshtërsitë e saj.
Ajo që duhet kuptuar është se qeveria mund ta lodhë protestuesin me indiferencë, por nuk e shuan dot pakënaqësinë e thellë të krijuar nga keqqeverisja. E për sa kohë është kështu, ajo nuk ka shpëtim. Ajo mund ta shpërndajë me policë një grumbullim të vogël qytetarësh, por nuk mund ta shuajë revoltën e njerëzve dhe herët a vonë do përballet me derdhjen në shesh të popullit të revoltuar.
Sot Edi Rama është i mbaruar. Ai nuk ka më fytyrë ti dalë dikujt përpara. Do ishte në të mirën e tij të largohej duke kërkuar falje dhe duke u vënë në dispozicion të drejtësisë për çfarë ka mbi kurriz. Burgu është nganjëherë shpëtim, më shumë se burgu i një pushteti të mbajtur me paudhësi e poshtërsira. Dhe kjo vlen edhe për Berishën. Burgu fizik është shumë herë më i lehtë dhe dinjitoz sesa burgu i të mbeturit peng në krye të një opozite të shitur që mban Ramën në pushtet.
Kjo protestë është ndërgjegjia më e mirë e kësaj shoqërie. Eshtë nder për këdo që e mbështet dhe turp për këdo që e sulmon.

Ergys Mërtiri