Edukimi – çështje shumë e vështirë, komplekse dhe delikate

Halil Avdulli

Çështja edukimit, si gjithmonë, edhe sot është një çështje shumë e vështirë, komplekse dhe delikate.

Një përqindje e lartë e fëmijëve nëpër shumë mjedise shoqërore, rriten dhe zhvillohen të persekutuar, qoftë seksualisht, psikologjikisht ose fizikisht.

Siguria dhe lumturia duhet të jenë ndër prioritetet më të rëndësishme të çdo populli.

Çfarë duhet të bëjmë ne si prindër?

Para se gjithash duhet të sigurojmë një mjedis të sigurt familjar, në radhë të parë për fëmijët tanë, që ata të jenë gjithmonë të rehatshëm dhe të mos ekspozohen asnjëherë ndaj frikës, qortimit dhe shqetësimit në shtëpi.

Aty ku mungon siguria, mungon zhvillimi dhe liria, dhe fëmija nuk mund të bëj asgjë.
Atëherë kur bie siguria, me të bien të gjitha vlerat e tjera.

Shumë shtëpi në shoqëri nuk kanë siguri të mjaftueshme brenda tyre (paqë dhe qetësi).
Për fat të keq ka baballarë që kur hyjnë në shtëpi, zemrat e fëmijëve të tyre dridhen nga frika dhe tmerri prej tyre, sikur që ka nëna shumë të bezdisshme në shtëpitë e tyre, të cilat gjithë kohën punojnë me fëmijët e tyre përmes urdhërave: Mos u ul! Mos e bëj! Ngrihu! Marre! Mëso! Puno!…etj., kjo nuk përfundon me asgjë tjetër, përpos me një mori fyerjesh dhe mallkimesh që fëmijës nuk ia thotë kush tjetër, veç nënës së tij. Kjo qasje e bën fëmijën të humbas besimin në veten e tij.

Siguria ia forcon atij besimin te vetja, prandaj duhet ta lëmë t’i shpreh mendimet dhe idetë e tij, dhe gjithmonë të na tregojë se çfarë ka në mendje. T’i lëmë ata të kundërshtojnë në shumë çështje, sepse nëse nuk e bëjmë këtë, nesër shumë lehtë mund të rekrutohen në shumë grupe a parti të devijuara, të cilët do t’iu japin hapësirë të mjaftueshme për të thënë mendimin e tyre.

Nëse i kemi rritur fëmijët tanë që gjithmonë të na binden, nesër ata nuk do të jenë në gjendje të kërkojnë të drejtat e tyre jashtë shtëpisë.

Bota jashtë është plotë me informacione, të dhëna dhe marrëdhënie dhe nëse fëmijët tanë nuk do të dijnë ta trajtojnë atë, atëherë nuk do të mund të zhvillohen.

Nga Halil Avdulli