All-llahu i Lartësuar thotë në Kuran:
“O ju që besuat, përgjigjuni All-llahut dhe të Dërguarit kur ju thërret në atë që ju jep jetë…”
(El-Enfal, 24)
Ndërsa për atë që nuk e shfrytëzoi jetën për t’u përgatitur për botën tjetër, Allahu na tregon se në Ditën e Gjykimit do të thotë:
“Ah, sikur të kisha parapërgatitur për jetën time!”
(El-Fexhr, 24)
Këto dy ajete na paraqesin dy momente: një thirrje që na drejtohet sot dhe një pendim që mund të vijë nesër.
Kur Allahu dhe i Dërguari i Tij na thërrasin, nuk është thjesht një këshillë. Është një thirrje drejt asaj që na jep jetë të vërtetë. Çdo urdhër i Allahut – namazi, ndershmëria, drejtësia, solidariteti, ruajtja nga harami dhe pastrimi i zemrës – është për të mirën dhe gjallërimin tonë.
Njeriu mund të jetojë shumë vite, të punojë, të fitojë, të hajë, të pijë e të kënaqet, por në fund pyetja nuk do të jetë vetëm sa jetoi, por për çfarë jetoi dhe çfarë përgatiti për jetën që nuk mbaron.
Prandaj ajeti i dytë është një paralajmërim i fuqishëm: të mos vijë dita kur njeriu të thotë: “Ah, sikur…” Kur mundësia për namaz ishte aty. Kur mundësia për pendim ishte aty. Kur mund të kthehej nga padrejtësia, të kërkonte falje, të kthente hakun, të pajtohej me tjetrin dhe të afrohej me Allahun.
Secili prej nesh duhet ta pyesë veten:
Cilës thirrje të Allahut po ia shtyj përgjigjen sot?
Sepse ajo që sot mund ta bëjmë me një vendim, nesër mund të mbetet vetëm një dëshirë.
T’i përgjigjemi Allahut sot, para se fjala jonë nesër të jetë: “Ah, sikur të kisha parapërgatitur për jetën time!”
Hoxhë Korab Hajraj








