Egjipt, ekzekutohen 9 të dënuar për vrasjen e kryeprokurorit

Autoritetet egjiptiane sot ekzekutuan nëntë të rinj të dënuar për vrasjen e prokurorit të përgjithshëm të vendit në vitin 2015, bëjnë të ditur mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Dënimi me vdekje është kryer pavarësisht thirrjeve nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë Amnesty International, që autoritetet egjiptiane të ndalojnë ekzekutimin.

Në nëntor, Gjykata e Kasacionit, gjykata më e lartë e apelit e Egjiptit, mbështeti dënimin me vdekje ndaj nëntë personave në fjalë, pasi u dënuan për vdekjen e Hisham Barakat, i cili u vra në një autobombë në Kajron lindore.

Biri i udhëheqësit të lartë të Vëllazërisë Myslimane, Mohamed Taha Wahdan, ishte në mesin e atyre që u dënuan me vdekje.

Barakat është zyrtari më i lartë egjiptian që është vrarë në një sulm militant që nga viti 2013.

Autoritetet egjiptiane ende nuk kanë konfirmuar ekzekutimet.

Në muajin shkurt, autoritetet egjiptiane ekzekutuan gjashtë persona në dy raste të ndryshme për vrasjen e birit të një gjyqtari dhe një oficeri të lartë të policisë.