Zëdhënësi i Hamasit, Fawzi Barhoum, ka bërë të ditur se Egjipti ka arritur që të siguroj armëpushim mes Izraelit dhe grupeve të rezistencës në Gaza, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Përpjekjet e Egjiptit për të siguruar armëpushim mes forcave okupatore (Izraelite) dhe grupeve të rezistencës janë përmbyllur me sukses”, tha Barhoum për mediat lokale.
Sipas tij, armëpushimi do të hyjë në fuqi në orën 22:00 sipas kohës lokale.
Në një kumtesë, Salama Marouf, kreu i media qendrës së qeverisë në Gaza, tha se institucionet e shtetit po “funksionojnë normalisht” krahas sulmeve të reja ajrore nga Izraeli të hënën në mëngjes.
As Izraeli e as Egjipti akoma nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht këtë marrëveshje për armëpushim.
Të hënën në mëngjes u raportua se shtatë izraelitë mbetën të plagosur nga një raketë që u hodh nga Gaza.
Izraeli u kundërpërgjigj duke qëlluar pozicionet e Hamasit në Rripin e Gazës, pas çka rezistenca palestineze u përgjigj duke gjuajtur raketa në dy qytete izraelite që ndodhen afër enklavës bregdetare të udhëhequr nga Hamasi.
Raportohet gjithashtu se ushtria izraelite vendosi sistemin e mbrojtjes nga raketat “Iron Dome” në disa lokacione, si dhe ka aktivizuar dy brigada shtesë të këmbësorisë në “tampon zonën” mes Gazës dhe Izraelit.






