Eintracht Frankfurt shpallet kampion i Ligës së Evropës

Eintracht Frankfurt ka arritur ta mposht Rangersin pas penalltive në finalen e Ligës së Evropës, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet u mbyllën baras 1-1.

Të dy skuadrat prodhuan raste në pjesën e parë, me gjermanët që ishin më të rrezikshëm para porte.

Që në start Daichi Kamada i Frankfurt rrezikoi i pari, por që portieri Allan McGregor ishte ai që priti.

Në minutën e 20-të, Ansgar Knauff gjuajti, por sërish McGregor ishte në vend.

Skocezët ishin të rrezikshëm në minutën e 26-të ndeshjes, kur Jor Aribo rrezikoi, por që topi shkoi ngjitur me shtyllën.

Filip Kostic në anën tjetër rrezikoi dy herë, por në të dyja rastet nuk gjeti rrjetën.

Ryan Jack i Rangers gjuajti nga jashtë zonës në minutat shtesë, por goditja e tij shkoi mbi portë.

Në pjesën e dytë Rangers gjetën të parët golin dhe atë që në start.

Sulmuesi Joe Aribo mori një top para mbrojtjes, ku njëri nga lojtarët gjerman u rrëzuan dhe ai i vetëm shkoi drejt portës për të shënuar për 1-0.

Por vetëm pas disa minutash, Filip Kostic asistoi te Rafael Borre i cili shënoi për 1-1 në minutën e 69-të.

Deri në fund edhe pse të dy skuadrat tentuan, rezultati nuk ndryshoi dhe skuadrat shkuan në vazhdime.

Gjermanët kishin dy raste të mira me Daichi Kamada dhe Kristijan Jakic, por asnjëri nuk ishte i saktë.

Në anën tjetër edhe skocezët kanë mundur ta mbyllin ndeshjen me Ryan Kent, por Kevin Trapp bëri pritje të madhe në minutën e 120-të.

Skuadrat në fund iu drejtuan serisë së penalltive, ku më të suksesshëm dolën Eintracht Frankfurt që fituan 5-4, pasi Aaron Ramsey dështoi nga pika e bardhë.