Eksperti amerikan apelon për vaksinim

Dr. Anthony Fauci

Eksperti kryesor amerikan i sëmundjeve infektive tha për rrjetit televiziv CNN të dielën se deri në fund të vitit mund të shënohen edhe 100,000 vdekje të tjera si pasojë e COVID-19. Por sipas tij situata është “plotësisht e parandalueshme”.

Dr. Anthony Fauci tha se Shtetet e Bashkuara i kanë të gjitha mundësitë që të shmangin viktima të tjera, por problemi sipas tij qëndron tek 80 milionë të pavaksinuarit.

“Ne mund ta ndryshojmë këtë gjë, me efikasitet e shpejtësi nëse arrijmë t’i vaksinojmë këta njerëz”, tha z. Fauci. “Është e rëndësishme që gjatë kësaj krize njerëzit të lënë mënjanë çdo dallim ideologjik dhe politik e thjesht të vaksinohen”.

Ndërkohë javën e kaluar mesatarja ditore e shtrimeve në spital si pasojë e COVID-it arriti në 100,000 vetë sipas një njoftimi të gazetës New York Times, ku thuhej gjithashtu se rritja e rasteve krahasohet me një rritje të dimrit të kaluar kur vaksinat nuk ishin në dispozicion.

“Kurrë nuk kam parë diçka të ngjashme”, tha Dr Shannon Byrd nga Knoxvill i shtetit Tenesi për “The Times”. “Po rrënohen e coptohen familje të tëra për shkak të një numri të madh vdekjesh”.

Ndërkohë Izraeli ka nisur programin e vaksinimit me dozën përforcuese për të gjithë personat mbi 12 vjeç. Ky vend po përballet me një numër në rritje të rasteve me variantin Delta të COVID-it.

Sipas universitetit “Johns Hopkins” deri të hënën në të gjithë botën janë raportuar më shumë se 216.4 milionë infeksione me koronavirus dhe 4.5 milionë vdekje. /voa