Senatori amerikan Lindsey Graham ka shpallur kandidaturën për një mandat të pestë në Senatin e SHBA-së, duke mbështetur njëkohësisht luftën e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.
Duke folur para mbështetësve të tij, Graham deklaroi se SHBA-ja nuk e ka nënvlerësuar Iranin dhe se operacionet ushtarake po japin rezultate. Ai theksoi se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me presidentin Donald Trump.
Graham, i njohur për qëndrimet e tij të ashpra ndaj Iranit, ka mbështetur për më shumë se një dekadë përballjen direkte me Teheranin. Ai ka kundërshtuar marrëveshjen bërthamore të arritur gjatë administratës së Barack Obama dhe ka përkrahur vendimin e Trump për të goditur objektet bërthamore iraniane.
Senatori republikan paralajmëroi se një Iran me armë bërthamore do të përbënte kërcënim serioz global dhe u zotua se do të punojë që ushtria amerikane të ketë të gjitha mjetet e nevojshme për të fituar luftërat aktuale.
Qëndrimet e tij për politikën e jashtme, veçanërisht ndaj Iranit, kanë qenë shpesh agresive, duke kërkuar dobësimin e kapaciteteve ushtarake të vendit.
Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se presidenti Trump mban komunikim të rregullt me Graham dhe se republikanët mbështesin vendimin për ndërhyrje ushtarake kundër Iranit. /mesazhi







