Emri juaj figuron në sistem edhe pse e keni paguar gjobën e trafikut – policia tregon hapat që duhet ndjekur

Shumë qytetarë së fundi në mediat online kanë zhvilluar debat lidhur me atë se, si duhet vepruar në rastin kur marrin ndonjë gjobë nga trafiku rrugor.

Shumica prej tyre kanë shprehur shqetësimin se edhe pse kanë paguar gjobën emri i tyre ka figuruar në sistemin e policisë, kjo për shkak së nuk e kanë dërguar fletë-pagesën në sistemin policor.

Lidhur me këtë, Telegrafi ka kërkuar një sqarim nga Policia e Kosovës, për të pasur më të qartë shoferët se cilat procedura duhet ndjekur në rast se marrin ndonjë gjobë.

Në përgjigjën e dhënë nga Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë – Prishtinë, përshkruhet në hollësi se si duhet vepruar shoferët.

“Kundërvajtësi në trafik, informohet nga zyrtari policor i cili i shqipton gjobën, për vendin, mënyrën e pagesës, afatin e pagesës dhe për çështjet tjera lidhur me pagesën e gjobave, të njëjtat informata duhet të jenë të evidentuara në fletëparaqitjen për kundërvajtje në trafikun rrugor.

Personi i cili bënë kundërvajtje në trafikun rrugor (më tutje në tekst kundërvajtësi), nëse paguan gjobën në afatin prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh, paguan vetëm gjysmën (50%) e shumës së paraparë për atë kundërvajtje, duke mos i përfshirë pikët negative dhe masën mbrojtëse”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës, dhënë për Telegrafin.

Policia sqaron qytetarët se, pas kalimit të afatit kohor dhe në rast të refuzimit të kundërshtimit/ankesës nga organet kompetente, gjoba paguhet e plotë.

Tutje në sqarim thuhet se, kundërvajtësi pas pagesës së gjobës, fletë dëshminë për pagesën e dërgon në stacionin policor i cili e ka shkruar kundërvajtjen me qëllim që gjoba e shqiptuar të shlyhet nga sistemi.

“Të gjitha fletëpagesat për gjobat e paguara duhet t’i dorëzoni në stacionin policor më të afërt (jo patjetër në vendin ku ju është shqiptuar gjoba) pas pagesës së gjobës, që të mund të evidentohet kjo në sistem”.

Për tu shlyer nga sistemi i policisë, të gjitha fletëpagesat për gjobat e paguara dhe tiketat, të skanuara, mund të dërgohen edhe në adresën elektronike: [email protected].

“Veç se është bërë ndërlidhja e sistemeve të pagesave të kundërvajtjeve në trafik në mes të Policisë dhe institucioneve të autorizuara që kryejnë këto shërbime, me ç’rast evidentimi në sistem është duke u bërë në mënyrë automatike/online, ku deri më tani një sistem i tillë është duke funksionuar dhe nuk ka nevojë që kundërvajtësit t’i sjellin dëshmitë në polici.

Ju rikujtomë se në vazhdimësi dhe me kohë janë njoftuar kundërvajtësit për procesin nga inicimi i kundërvajtjes (shqiptimi i gjobës) deri tek editimi i tyre në sistemin e Policisë dhe procedurave tjera sipas kompetencave dhe autorizimeve të institucioneve përkatëse. Po ashtu, për çdo paqartësi eventuale apo gabim iu kemi ofruar shërbimin adekuat duke mos hezituar që të paraqiten edhe në stacionin më të afërt të policisë për të marr sqarimin e nevojshëm”, thuhet në sqarimin e Policisë së Kosovës.

Sistemi i Policisë është i ndërlidhur edhe me qendrën e regjistrimit të automjeteve ku kanë qasje online për të parë gjendjen e kundërvajtjes që përfshihet edhe pagesa e tyre/editimi.