Erdogan: Kush dhunon një grua, ka tradhëtuar njerëzimin

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se vendi i tij po përpilon një plan të ri reformash për të mbrojtur gratë nga abuzimi fizik dhe seksual.

Duke folur para një turme të madhe në ngjarjen e shënuar për Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës kundër Grave, Erdogan e quajti dhunën kundër grave një “tradhti ndaj njerëzimit”.

“Kushdo që është i përfshirë në këtë tradhëti duhet të dënohet,” tha presidenti.

Erdogan gjithashtu theksoi rëndësinë e grave në shoqëri.

“Nëse nuk do të ishin gratë, atëherë gjysma e shoqërisë nuk do të ishte … Një shoqëri pa gra është e destinuar të zhduket,” citon agjensia e lajmeve Anadolu.

Ministria e Familjes dhe Politikave Sociale të Turqisë ka hetuar 20,000 raste të dhunës kundër grave, tha ai.

Kombet e Bashkuara thonë se një e treta e të gjitha grave vuajnë nga dhuna fizike ose seksuale gjatë jetës së tyre. /MESAZHI/